Lufta në Ukrainë ka bërë që shumë federata dhe shtete të solidarizohen duke akomoduar njerëz të këtij populli në vendet e tyre. Edhe Shqipëria nuk mbetet pas në këtë aspekt. Në vendin tonë ka ardhur një ekip me 10 atletë dhe sportistë elitarë nga Ukraina, të cilët janë vendosur në qytetin e Elbasanit. Atletët do të akomodohen për një periudhë të pacaktuar dhe do të stërviten në stadiumin “Elbasan Arena”. Kryebashkiaku Gledian Llatja dhe kreu i KOKSH, Fidel Ylli, morëm pjesë në pritjen që iu bë sportistëve në Elbasan, të cilë shprehën mbështetjen për popullin ukrainas.
Kryebashkiaku Gledian Llatja pohoi se atletëve i janë krijuar të gjitha kushtet për aq kohë sa do të qëndrojnë në Elbasan. “Morëm masat që të jenë të sigurtë dhe të vazhdojnë stërvitjen në Elbasan. Kemi pasur kontakte me FSHA për krijimin e kushteve, jo vetëm të stërvitjes, por për gjithçka i nevojitet një sportisti. Elbasani ka hapur përherë dyert për këdo që ka pasur nevojë. Sot, është një komb mik që ka nevojë për Shqipërinë dhe Elbasanin dhe ky qytet u është gjendur gjithnjë pranë. Bizneset na janë gjendur të gjithë pranë dhe i falenderoj për mbështetejn maksimale, ashtu si edhe qytetarët. Uroj të shkojnë sa më të sigurtë dhe shpejtë në shtëpinë e tyre, por për sa kohë janë në Elbasan ne do t’i sigurojmë gjithçka që kanë nevojë”, u shpreh Kryebashkiaku.
Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, dha më shumë detaje rreth situatës me ukrainasit dhe peripecive të tyre të mbërritjes deri në vendin tonë, teksa pohoi se janë të gatshëm të mbajnë edhe më shumë sportistë. “FSHA në bashkëpunim me KOKSH kanë patur një kontakt të vazhdueshëm me presidentin e Federatës së Atletikës Ukrainase, Sergei Butka, një muaj rresht. Por, pas një muaji humbën kontaktet javën e fundit, por nëpërmjet një trajneri që stërvitej në Romë na ka bërë të mundur të na shpjegojë datën dhe orën që pjesa e mbetur e tyre do të vinin nga Polonia. Kanë bërë një rrugë të gjatë, kanë lënë familjet e tyre atje dhe ne kemi për detyrë si familje olimpike dhe së bashku me FSHA, qeverinë dhe Bashkinë e Elbasanit, duhet që këtyre atletëve t’i krijojmë kushte dhe mundësi për të qëndruar, të sërviten dhe komunikojnë me familje e tyre. Lufta mund të zgjsë dhe kjo ardhje është pa afat, ne kemi krijuar gadishmërinë, edhe 100 sportistë të jenë do t’i mbajmë në kushtet më të mira”, përfundoi kreu i KOKSH.