Zhduken biletat për ndeshjen e 12 tetorit Shqipëri-Çeki

Biletat për ndeshjen e 12 tetorit Shqipëri-Çekinë janë shitur. Ndoshta shumë nuk janë informuar që ato dolën në shitje, e të tjerë mund të kenë qëndruar me orë të tëra në faqen e FSHF-së duke mbajtur radhën, por pasi ishin afruar mundësisë për të blerë biletën e tyre, e shihnin veten sërish në fund të radhës! Ndoshta për probleme teknike!

Interesi për këtë ndeshje është i jashtëzakonshëm pasi një fitore do ta siguronte kualifikimin në Kampionatin Europian dhe kjo duket se ka krijuar vështirësi në gjetjen e një biletë edhe pse stadiumi ka 22 mijë vende. Bileta mendohen se kanë dalë në mbrëmjen e së premtes në shitje, atëherë edhe kur FSHF nxori një njoftim në Facebook, por tashmë që faqja është më e lirë, njoftimi është që nuk ka më asnjë vend të lirë në stadium.

Pas fitores madhështore ndaj Polonisë, ku Kombëtarja mori edhe kryesimin e Grupit E, të gjithë janë entuziastë. Skuadra e Sylvinho bind me lojë, entuziazmon mbështetësit në tribuna dhe ka shansin më të mirë që të sigurojë pjesëmarrjen në “Euro 2024”, që do të zhvillohet në Gjermani.

Me një rezultat pozitiv kundër Republikës Çeke, ky objektiv do të hipotekohej. Të gjithë tifozët, edhe ata që Kombëtaren e kanë ndjekur rrallë në stadium, duan të jenë në mbështetje të skuadrës. Duan të emocionohen dhe të festojnë me kuqezinjtë, që i kanë bërë krenarë më tepër se çdo gjë tjetër.