Zbulohet dokumenti sekret i ISHP. “Nuk kemi kapacitete për kryerjen e testimeve”

Ditët e fundit është shtuar shumë numri i personave të infektuar dhe për rrjedhojë edhe i testimeve për COVID-19. Një ditë më parë ishte ky institucion që kishte kryer 267 testime, ndërsa ditën e sotme shifra ishte 367 gjithsej. Rritja e numrit të të infektuarve tregon nevojën e kryerjes së testimeve masive në popullatë. Nevojën për testimet masive e ka ngritur edhe opozita, e cila prej kohësh po kërkon që ky proces të mos jetë më i centralizuar, pra i varur nga shteti.

Decentralizimi i kryerjes së testimeve shihet edhe si një domosdoshmëri, pasi shqiptarët nuk do të vazhdojnë të jetojnë të izoluar, e se lidhjet e tyre me botën e jashtme do të vazhdojnë. Një dokument që publikoi sot gazeta “Shqip” i firmosur nga drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico, shpreh shqetësim në adresë të ministrisë së Shëndetësisë pikërisht për pamundësinë që ka institucioni që ajo drejton, me mungesën e kapaciteteve për të kryer testime.

I vetmi institucion zyrtar që realizon testimet është pikërisht ISHP-ja, një institucion në varësi të shtetit. Por kapacitetet e ISHP janë mjaft të kufizuara dhe këtë e pranon vetë Fico në shkresën e saj. Dokumenti i ISHP-së për mungesën e survejancës është një kambanë alarmi për ministrinë e Shëndetësisë, e cila duhet të veprojë sa më parë.

Kjo do të thotë që Shqipëria, në këtë situatë, ka nevojë për kapacitete testuese, përtej kapaciteteve aktuale të ISHP-së.  Për këtë, Qeveria duhet fillojë procesin e zgjerimit dhe hapjes së shërbimit të testimeve përtej ISHP-së, thuhet në shkresën e ISHP. Sipas saj, kjo situatë kërkon që Qeveria të hapë urgjentisht këtë shërbim drejt sektorit privat! Ishte pikërisht ISHP në mars që urdhëroi mosbërjen e testimeve në spitalet private.