Tre persona humbin jetën në 24 orët e fundit, mes tyre një 44-vjeçare! Situatë e rënduar në Tiranë, Shkodër e Krujë.

Tre persona fatkeqësisht kanë humbur jetën në 24 orët e fundit për shkak të koronavirusit në vendin tonë, duke e çuar numrin total të personave që kanë ndërruar jetë në 104. Luftën me COVID-19 ditën e fundit e ka humbur një një 44 vjeçare nga Tirana, prej 10 ditësh e intubuar dhe pa sëmundje bashkëshoqëruese, përveç obezitetit.

Ndërkohë po ashtu dy personat e tjerë që kanë ndërruar jetë janë një 64 vjeçar nga Tirana dhe një 65 vjeçare nga Vlora me sëmundje bashkëshoqëruese. Përsa i përket rasteve të reja në 24 orët e fundit kanë rezultuar pozitivë 99 persona nga 425 testimet e kryera gjithsej.

Lajmi mirë është se ditën e fundit janë shëruar 46 qytetarë, duke e çuar në 2137 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1610 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës. Me hapjen e Covid2, aktualisht në dy spitalet Covid, në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 102 pacientë, 11 pacientë janë në terapi intensive dhe 3 prej tyre janë të intubuar.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 40 raste në Tiranë, nga 6 raste në Fier, Kavajë, nga 5 raste Dibër, Mirditë, nga 4 raste Krujë, Devoll, nga 3 raste Vlorë, Sarandë, Malësi e Madhe, nga 2 raste Durrës, Kurbin, Korçë, Elbasan, Lezhë, Has, Lushnje, Prrenjas, nga 1 rast në Kukës, Berat, Pogradec, Roskovec.