Teatri “Skampa” në Elbasan ka sjellë me sukses premierën e komedisë “Çfarë pa Kryeshërbëtorja”, një vepër e autorit britanik Joe Orton, nën regjinë mjeshtërore të Kiço Londos. Qindra artëdashës kanë ndjekur me entuziazëm një shfaqje që kombinon mjeshtërisht humorin absurd me realitetin tronditës të marrëdhënieve njerëzore.
Në skenë janë ngjitur emra të njohur të teatrit shqiptar si Helidon Fino, Egla Ceno, Linda Jarani, Mario Elezi, Ëngjell Hoxha dhe Livjon Aliaj, të cilët me interpretimin e tyre brilant i kanë dhënë jetë personazheve kompleksë të Orton. Ata sjellin një galeri karakteresh që luhaten mes çmendurisë, dëshirës dhe absurditetit, duke bërë publikun të qeshë, të mendojë dhe të reflektojë.
Një punonjës hoteli i përfshirë në intrigat e një psikiatri me prirje të çuditshme, një sekretare e zhveshur dhe e fshehur pas perdes, një zonjë elegante dhe e zhytur në alkool, përqafime të paligjshme dhe një profesor me fantazi surreale, ndërthuren me hyrjen e një polici që prish gjithçka… Në sfond, mjegulla e trashë e purove të Çurçillit shton dhe më shumë absurditetin e situatave.
Kjo premierë është një tjetër dëshmi e gjallërisë së jetës artistike në Elbasan, që po zhvillohet me përkushtim të drejtorit artistik i teatrit “Skampa”, z. Kliton Kapaj. Falë punës së tij dhe ekipit të aktorëve e regjisorëve, Teatri “Skampa” mbetet një pikë referimi për kulturën në qytet dhe më gjerë. “Çfarë pa Kryeshërbëtorja”, do të shfaqet në “Skampa” deri në datën 16 maj.