Sporti i rallë, COVID-19 shtyn kampionatin Europian të radioamatorizmit në Elbasan

Pandemia Covid 19 ka marrë mijëra jetë njerëzish dhe ka paralizuar thuajse të gjithë botën, ashtu si edhe vendin tonë. Një nga sferat që është prekur jo pak është edhe sporti, kryesisht futbolli si sporti më popullor dhe masiv, por jo vetëm.

Në datat 8-12 Maj të këtij viti, vendi ynë do të organizonte kampionatin Ballkanik dhe Europian të radioamatorizmit, njw event ky i rëndësishëm dhe jo shumë i zakontë për vendin tonë.

Qyteti mikpritës do të ishte Elbasani, si djepi i këtij sporti në Shqipëri, por edhe si qyteti që ka infrastrukturën e duhur për të organizuar një aktivitet të këtyre përmasave. Mirëpo, sipas të gjitha gjasave, ky kampionat do të shtyhet, edhe pse ende mungon një konfirmim zyrtar nga ana e Federatës Europiane të Radioamatorizmit.

Bllokimi i kufijve dhe izolimi i njerëzve e bën të pamundur zhvillimin e këtij kampionati në datat 8-12 Maj. Dhe, sipas të gjitha gjasave për një muaj duket një mision i pamundur për të rikuperuar.

Burime të “Panorama Sport” pohojnë se mundësia më e madhe është që ky kampionat të mbahet në fund të vitit, mes muajve tetor apo nëntor, edhe pse do shihet situata sesi do të vijojë me pandeminë Covid 19. Gjithsesi, Shqipërisë dhe Elbasanit, askush nuk ia heq të drejtën e mbajtjes së këtij eventi, vetëm se do të shtyhet për të paktën disa muaj, derisa situata të normalizohet disi.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL