Sot Dita Botërore e Sindromës Down, ministrja Kushi: Duhet të reflektojmë të gjithë si shoqëri, këta fëmijë kanë nevojë për më shumë mbështetje

Çdo 21 mars shënohet Dita Botërore e Sindromës Down. Çdo vit është dita për të dëgjuar zërin e persona që kanë këtë sindromë apo dhe i atyre që jetojnë me ta. Kjo ditë është shënuar për të theksuar të drejtat e tyre dhe si datë është shënuar në vitin 2006 nga Shoqata Kombëtare e Sindromës Down në Amerikë duke u ndjekur nga shumë shtete më pas. Synimi i kësaj dite është ndërgjegjësimi, informimi si dhe promovimi për personat që kanë këtë sindromë në mënyrë që të jetojnë me dinjitet dhe për të qenë aktivë e pjesëmarrës në komunitetin dhe shoqërinë ku jetojnë.

Muaji tetor, ka qenë muaji i sensibilizimit për sindromën Down. Një rezolutë për ta përcaktuar 21 marsin si ditën ndërkombëtare të sindromës Down është adaptuar me konsensus nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në dhjetor të vitit 2011.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi në Ditën Botërore të Sindromës Down ka zgjedhur të postojë një mesazh sensibilizimi, ku shpreh edhe angazhimin për të bërë më të mirën për një nga kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, nxënësit me këtë sindromë dhe aftësi ndryshe.

“Ata kanë një kromozom më shumë, ndaj kanë nevojë që ne t’u falim edhe dashuri më shumë! Sot, në Ditën e Sindromës Down, por edhe çdo ditë tjetër të vitit, duhet të reflektojmë të gjithë si shoqëri se këta fëmijë kanë nevojë për më shumë mbështetje, përkrahje dhe përqafime.

Ne në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, do të vazhdojmë të jemi të angazhuar për të bërë më të mirën për ta dhe të gjithë fëmijët me aftësi ndryshe, bashkë me mësuesit ndihmës, shërbimin psiko-social dhe stafet tona në çdo shkollë. Ndërkohë së shpejti edhe transformimi i shkollave speciale në qendra burimore do të garantojë një mbështetje më të madhe dhe shërbime më të specializuara.”

Aktualisht në sistemin arsimor ka rreth 3600 nxënës me aftësi të kufizuara, ndër të cilët rreth 140 i përkasin kësaj sindrome. Mësuesit ndihmës të përfshirë në sistemin arsimor parauniversitar janë rreth 1700 mësues ndihmës, që e çon raportin 1 mësues ndihmës për 2 nxënës me aftësi të kufizuar, një raport i përafërt ky me atë të BE-së.