Rruga e ngushte me xhepa për t’u shkëmbyer makinat, ja si justifikohet Rama

Kryeministri i vendit Edi Rama, ka inspektuar sot punimet në rrugën Dukaj-Sinanaj, që lidh Tepelenën me Vlorën, aty ku janë realizuar 75% e volumit të punimeve. Kreu i Qeverisë ishte i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, deputetja Mirela Kumbaro dhe kryebashkiaku i Tepelenës Tërmet Peçi.

Rama njofton se në shtator të këtij viti rruga do të jetë gati në këtë aks të rëndësishëm për fermerët dhe bujtinat e zonës sa i takon zhvillimit të turizmit, por duket se nuk janë marrë masa sa i takon parametrave të rrugës.

Në këtë aks janë bërë kritika të shpeshta për ngushtësinë, por kryeministri u justifikua duke thënë se rrugët turistike s’duhet të jenë të gjera, sepse sipas tij, nuk ka shumë qarkullim që krijon trafik. Ai mori shembullin e Francës dhe Zvicrës, teksa tha se parametrat e rrugëve turistike janë të njëjta në të gjithë Europën.   “Ata që na ndjekin shpesh herë bien pre e idesë që rrugët turistike janë të ngushta, duhet të jenë më të gjëra, në fakt jo. Rrugët turistike nuk duhen të jenë më të gjëra, kanë parametrat e tyre në të gjithë Europën, që nga Zvicra deri në Francë dhe kudo pasi nuk kanë prezencë të trafikut, dhe mundësojnë lëvizjen e nevojshme në akset turistike”, tha Rama.