Rikonstruktohet rruga lidhëse mes aksit Elbasan-Cërrik dhe autostradës bujqësore

Autostrada bujqësore Bujqës Jagodinë është një nga investimet më të rëndësishme në fshatrat e Elbasanit, por përpos këtij investimi të madh, po kaq të rëndësishme janë edhe akset lidhëse që u shërbejnë banorëve te zones.  Rruga lidhëse mes aksit Elbasan-Cërrik dhe autostradës bujqësore është duke u rikonstruktuar totalisht, përfshirë edhe urat.

Kjo rrugë lehtëson lëvizjen jo vetëm të banorëve të zonës, por edhe prodhimet dalin më shpejt në treg, pasi zona njihet për prodhimin bujqësor. 

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja dhe deputetët inspektuan ecurinë e punimeve.

Në fjalën e tij Balla tha se rikonstruksioni i këtij aksi dytësor, për banorët e kësaj zone ishte shumë i rëndësishëm dhe është kërkuar shumë herë.   “Edhe pse një pjesë e mirë kanë nisur pushimet, kjo nuk vlen për Bashkinë e Elbasanit e cila është në krye të detyrës për të vijuar punët publike, si kjo që jemi sot. 

Rikonstruksioni i këtij aksi dytësor, për banorët e kësaj zone ishte shumë i rëndësishëm dhe është kërkuar shumë herë.  

Përpos rikonstruksionit të rrugës, janë riparuar edhe kanalet e kullimit dhe të vaditjes për të garantuar edhe vaditjen në çdo parcelë bujqësore”, deklaroi Balla.

Ndërsa kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja gjatë fjalës së tij theksoi se punët publike nuk do të ndalen pavarësisht sezonit të verës, apo pandemisë pasi qytetarët kanë nevojë të marrin shërbimin e duhur, në kohën e duhur.