Rama në Elbasan: Duam të lëmë pas gjelbërim, jo ndotje, mos votoni të paepurit

Kryeministri Edi Rama këtë të dielë është ndalur në Elbasan për të prezantuar kandidatin e PS, Gledian Llatjën.

Rama në fjalën e tij ka theksuar se është e rëndësishme që këtë fushatë ato të lënë pas sa më shumë fidanë dhe gjelbërim dhe jo pisllëkun e fushatës me postera të hedhura nëpër rrugë.

“Kemi vendos që ti shkurtojmë shpenzimet tona elektorale dhe një pjesë të tyre tua lëmë qyteteve dhe nga fushata të mos ngelet pas pisllëku i posterave që i merr era rrugëve, apo rripen nëpër mure ndër vite, port ë mbetet mbrapa më shumë gjelbërim më shumë mirësi dhe mbarësi. Siç ka thënë profeti Muhamet, paqja qoftë mbi të, “Sikur dita e kiametit të të gjejë me një filiz në dorë mos ik pa e mbjell””, është shprehur Rama.

Gjithashtu Rama bëri thirrje që më 14 maj të votojnë socialistët dhe jo ‘zorrën qorre’, referuar këtu ish-kryeministrit Sali Berisha.

Sipas tij Berisha është një turp botëror, i shpallur non grata.

“Unë siç e dini tani e hoqa appendisitin, zorrë qorre u quaka, nuk e dija që u quaka zorrë qorre, tani duhet të heqim së bashku zorrën qorre të Shqipërisë më 14 maj. Zorra qorre e Shqipërisë, nuk është se na ndalon dot të shkojmë para, por na pengon të shkojmë shumë më shpejt përpara, ashtu sikurse më e rëndësishmja është se na turpëron të gjithëve, ndërkombëtarisht, botërisht. Siç duhet të ndihet i turpëruar çdo demokrat që i është ofruar një zorrë qorre, ose më saktë një nga kokat e zorrës qorre, xhikja”, tha Rama.