Pse njerëzit po heqin dorë nga doza e dytë e vaksinës kundër COVID-19?

Deri më 5 maj, 249 milionë doza të vaksinës kundër COVID-19 u administruan në Shtetet e Bashkuara. Sipas të dhënave zyrtare, 107 milionë persona janë vaksinuar plotësisht (me dy doza të vaksinave të Pfizerit dhe Modernas ose me një dozë të vaksinës së kompanisë Johnson & Johnson), që përbën 32.3 për qind të popullsisë së përgjithshme të SHBA-së.

Megjithatë, Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjes (CDC), kohët e fundit kanë raportuar se afërsisht 8 për qind e personave që marrin dozën e parë në SHBA, nuk e marrin dozën e dytë të vaksinës. Kjo ka ngritur shqetësimin se shmangia e marrjes së dozës së dytë do të pamundësojë që SHBA-ja të arrijë imunitetin e tufës. Përse?

Për të dy vaksinat që përdoren në SHBA, ajo e Pfizer/BioNTech dhe Moderna, është e nevojshme që të merren dy doza me qëllim që të arrihet imunizimi dhe mbrojtja maksimale kundër koronavirusit. Anthony Fauci, drejtor i Institutit kombëtar në SHBA për Alergji dhe Sëmundje Infektive, kohëve të fundit ka lënë të kuptohet se një dozë e vetme e vaksinës mund të mos sigurojnë imunitetin e kërkuar për mbrojtje nga COVID-19, në krahasim me vaksinimin e plotë, përmes dy dozave.

“Kur shikoni nivelin e mbrojtjes pas një doze mund të thoni se është 80 për qind, por disi një 80 përqindësh i dobët”, deklaroi Fauci në fund të prillit. “Kur merrni vetëm një dozë, ngrihet pyetja se sa do të zgjasë imuniteti?”.

Për shkak se variantet e reja të koronavirusit po dalin të jenë më problematikë edhe për personat që janë vaksinuar plotësisht, Fauci shtoi se një dozë e vetme e vaksinës, mund të ofrojë më pak mbrojtje ndaj varianteve të reja të sëmundjes COVID-19

“Ju jeni në një situatë të dobët nëse nuk keni efekt të plotë të vaksinës”, shtoi Fauci.

Nuk është e pazakontë që njerëzit të mos e marrin dozën e dytë të vaksinës, thonë ekspertët shëndetësorë. Ata kanë dhënë disa shembuj nga vaksinimet në të kaluarën – shkalla e shmangies së dozës së dytë për infeksionin herpes zoster, ishte rreth 26 për qind në mesin e përdoruesve të Medicare (sigurimi shëndetësor në SHBA), thuhet në një analizë të kryer nga Fondacioni Kaiser Family, shkruan CNN.

“Unë shqetësohem për çdo person që nuk vjen ta marrë dozën e dytë, dhe realisht unë kam menduar se do të ketë më shumë njerëz që do ta shmangnin marrjen e dozës së dytë”, tha për CCN, doktoresha Leana Wen. “Bazuar në atë që dimë për vaksinat, shmangia e dozës së dytë mund të bëhet për shumë arsye”, shtoi ajo.