PS heq dorë nga tubimet e mëdha/Gjiknuri: Do bëjmë takime të vogla, nuk do shpenzojmë shumë për fushatë.

Partia Socialiste ka vendosur të vijë me një strategji të re në fushatën për zgjedhjet e 14 Majit. Kështu ka deklaruar sekretari i Përgjithshëm të PS-së, Damian Gjiknuri pas daljes nga mbledhja e kryesisë e mbajtur paraditen e sotme në selinë rozë.
Ai u shpreh se është menduar që socialistët të mos bëjnë aktivitete masive, por takime të vogla. Sipas tij kjo është një formë edhe për të mos shpenzuar shumë para për fushatë, por gjithashtu edhe për të dhënë mesazhe të ndryshe, siç do të jetë mbjellja e pemëve.
“Kemi menduar të mos bëjmë aktivitete të mëdha masive. Nuk duam të bërtasim. Kemi menduar një strategji tjetër. Javën tjetër do të fillojmë aktivitete. Do të synojmë aktivitete më të qeta, takime më të vogla.
Kjo ka aspekt simbolik. Përveç faktit që PS nuk do të shpenzojë në këtë fushatë. Nga ana tjetër duam të japim edhe mesazhe. Ne e shikojmë Shqipërinë si një vend që po bën progres. Ka nevojë të bëjë më tepër progres. Pala tjetër e shikon zi se është i vetmi mesazh që kanë në mendje”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, ai foli për akuzat e socialistëve në drejtim të deputetes së PL, Monika Kryemadhi se ka përfituar para nga kompani të ndryshme ruse.
“Rublat ruse, ata janë vetë të zhytur në ato rublat ruse. Strategjia jonë është strategjia e ndërtimit t të ardhmes. Ne shikojmë strategjinë e zhvillimit të këtij vendi. Pala tjetër ka vetëm një parullë për revolucion.
I takon organeve të drejtësisë të zbulojnë të vërtetën. Kjo ka interes kombëtar. Tani është radha e organeve të drejtësisë. Ne thirrjen e kemi bërë. I takon organeve të drejtësisë qoftë edhe për këtë pretendim që ju thatë. Nuk zgjidhet kjo me konferenca partie”, u shpreh Gjiknuri.