Pezullohen 5895 mjekë të pavaksinuar/ Qeveria tregohet e ashpër: 10 mijë punonjës në spitale mund të largohen

Në një moment kur duket qartë se vala e katërt e pandemisë është pranë, qeveria greke është e vendosur të mos bëjë asnjë lëshim sa i përket vaksinimit të detyruar të personelit mjekësor duke pezulluar përkohësisht nga puna mijëra mjekë, infermierë apo personel teknik e administrativ në spitale.

Në ditën e dytë të zbatimit të kësaj mase, nëpunësit e sektorit të shëndetësisë kanë përshkallëzuar protestat e tyre me ndalim pune për disa orë dhe tubime proteste në Athinë para Ministrisë së Shëndetësisë, në Selanik para Ministrisë së Maqedonisë dhe Trakes, por edhe në qytetet e mëdha të vendit para zyrave përkatëse të këtij sektori.

Deri në mbrëmjen e së mërkurës, sipas burimeve nga Ministria e Shëndetësisë u raportua se janë dhënë 5895 pezullime kryesisht për stafet e spitaleve. Ndërkohë që priten në orët në vazhdim sipas vlerësimeve të sindikateve dhe mbi 4000 të tjera.

Shifra prej gati 10000 personash që do ti mungojnë në ditët në vijim spitaleve, që përbën nga 8-12% të personelit të çdo institucioni shëndetësor publik, konsiderohet e rëndësishme në momentin kur personi mbi sistemin spitalor është rritur tejmase.

Qeveria greke ka hapur menjëherë procedurat për zëvendësimin e tyre me punësime sezonale tremujorshe.  Sipas shifrave zyrtare, 90% e personelit mjekësor janë vaksinuar, por në shumë spitale periferike të vendit, ku janë të fuqishme sindikatat, vihen re kundërshtime të masave dhe mosfunksionim të reparteve mjekësore.

Theksohet se sipas masave të rrepta të qeverisë, personeli mjekësor i pezulluar përkohësisht nga puna nuk paguhet, ndërsa nuk konsiderohet i sigurt rikthimi në të njëjtin vend pune.

Top Channel