Pëllumb Pipero flet për humbjen e Arben Bajos: Kishte nevojë për një shërbim që ne s’e kemi

Ditën e sotme ka ndërruar jetë si pasojë e Covid-19 skulptori dhe pedagogu i njohur i Arteve, Arben Bajo, i cili ndodhej në gjendje të rëndë në spitalin “Shefqet Ndroqi” në kryeqytet dhe sipas një apeli të bërë nga miqtë e tij dje në rrjete sociale, ai kishte nevojë urgjente për gjak A-NEGATIV, nga një person që ka kaluar koronavirusin.

Por, në rrjete sociale disa akuzojnë se skulptorit të njohur nuk iu gjend gjak dhe kësisoj humbi jetën, ndërsa disa të tjerë, njëri prej tyre mik i të ndjerit, bën me dije se gjaku u gjend që dje paradite.

“Unë Benin e kam mik, ime shoqe ka kolege Teutën, të shoqen e Benit. Si pasojë e këtyre lidhjeve kam qenë në kontak të vazhdueshëm me familjen dhe stafin mjekësor. Ju informoj se gjaku është gjendur qysh paraditen e sotme, por beteja vazhdon me mushkëritë… Jam konsultuar edhe me mikun tim, Prof. Piperon”, shkruan Genc Llakaj, mik i të ndjerit.

Lidhur me ndarjen nga jeta të Bajos, Newsbomb.al ka kontaktuar me mjekun e njohur, Pëllumb Pipero, i cili thotë se në rastin e të ndjerit bëhej fjalë për plazmë hiperimune ose imune e përfituar nga persona në konvaleshencë, pra që e kanë kaluar sëmundjen dhe kanë antitrupa anti-Covid. Ndërkaq ai shton se plazma hiperimune është një praktikë e konsoliduar në shumë vende, por ende jo në Shqipëri.

Siç thotë Pipero, në vendin tonë po punohet se bashku me një ekip specialistesh italianë, për të mundësuar përfitimin nga përdorimi i plazmës të përfituar nga konvaleshentët.

Reagimi i mjekut Pipero:

 “Ju falënderoj që më pyesni edhe mua. I ndjeri Arben trajtohej në spitalin Shefqet Ndroqi, sanatorium, jo në Infektiv. Sa i takon ankesave apo akuzave për mungesën e gjakut unë nuk kam informacion dhe nuk ka pse ta kem.

Në dijeninë time, pasi më kanë pyetur shumë miq të profesorit të arteve, bëhej fjalë për plazmë hiperimune ose imune e përfituar nga persona në konvaleshencë, pra që e kanë kaluar sëmundjen dhe kanë antitrupa anti-covid. Dua të sqaroj nga ana mjekësore se plazma hiperimune është një praktikë tashmë e konsoliduar në shumë vende, por me protokoll strikt.

Në vendin tonë po punohet se bashku me një ekip specialistesh italianë, siç më kanë thënë, sepse unë nuk jam pjesë e asnjë strukture shtetërore në menaxhimin e Covid 19, për të mundësuar përfitimin nga përdorimi i plazmës të përfituar nga konvaleshentët! Se kur do aplikohet nuk e di”, thotë Pipero.

A duhet të ishte dërguar jashtë për këtë shërim?

“Po”, iu përgjigj pyetjes Pipero.

Kësisoj i bie që e vetmja mënyrë për artistin e ndjerë që të merrte këtë shërbim, ka qenë që të dërgohej jashtë vendit për t’u trajtuar, pasi shërbimi për të cilin kishte nevojë nuk mundësohej në vendin tonë.

Më tej Pipero, pasi u pyet tha se ka dëgjuar për raste të ngjashme, ku familjarë të të sëmurëve me Covid-19 kanë kërkuar që të bëhej plazma imune te të afërmit e tyre.

“Nuk e di, dëgjova sot që ka familjarë të cilët kërkojnë të njëjtën gjë për të afërm të tyre, por përfitimi është në fazën e parë të sëmundjes, jo në fazën terminale”, shtoi më tej ai.