Pas shkëputjes së gjatë në ekran, rikthehet Cubi/Duket shumë ndryshe me flokë të shkurtra pas problemeve shëndetësore

E qeshur dhe e çiltër njësoj si doza e humorit të saj, Esmeralda Metkaj ose Cubi, siç e njeh edhe publiku, është rikthyer tani në “Klanifornia”. Në spektaklin e mbrëmjeve të së shtunës në Tv Klan, Cubi servir si gjithnjë rolet e saj të spikatura, që munguan për disa kohë në ekran. Për të na folur më shumë mbi shkëputjen e saj, mbi të cilën ka thënë vetëm detaje të përcipta, Cubi u ndal në studion “Rudina” në Tv Klan.

Për shkëputjen e gjatë pa asnjë lloj lajmi apo shpjegimi, ajo tha: “Ishte një moment pak delikat në jetën time. Përveç faktit që po më duhej të merresha me jetën personale, pata edhe disa probleme shëndetësore, kështu që më duhej një shkëputje.

Trajtim, pushim, të gjitha bashkë. Unë nuk kam folur dhe nuk dua të flas për këtë pjesë se është pak delikate, megjithatë unë jam shumë mirë. Jam me energji të reja, në formën time më të mirë. Pjesa që njerëzit pyesnin më krijonte shumë stres”.

Por rikthimi u ngjalli kuriozitet njerëzve, sepse Cubi tha se kishe pasur disa probleme shëndetësore: “Njerëzit aludojnë, edhe me të drejtë. Unë gjithmonë jam përpjekur që jetën time ta mbaj shumë larg syrit të publikut, audiencës. Unë u servir njerëzve këtë që unë jam dhe të më duan për këtë që unë jam në ekran. Nuk dua ta përfshij pjesën tjetër sepse dashje, padashje lëndohen edhe njerëz të tjerë, familjarë të mi, kështu që zgjedh ta mbaj larg”.