Omicron/ Epidemiologu Alimehmeti jep këshilla, ja ç’duhet të bëni nëse prekeni

Epidemiologu Ilir Alimehmeti në një intervistë për ‘ABC-ja e mëngjesit’ ka folur për situatën epidemiologjike në vend, duke u ndalur kryesisht te Omicron. Ai tha se prek rrugët e sipërme respiratore dhe mund të trajtohet duke ndjekur disa rregulla të thjeshta ndërsa shpjegoi se kur duhet të ngremë alarmin e kuq për të shkuar te mjeku.

“Virusi është dinamik, situata është dinamike dhe zgjidhjen e kemi njësoj. A duhet të karantinohemi? Afrika e Jugut ishte e para që e pati Omicron dhe ra. Jo për shkak të rregullave por sepse 70-80 përqind e kanë kaluar virusin.

Duke marrë parasysh këtë, kurba do të bjerë në çdo shtet dhe është e pamundur të evitohet përmes karantinimit. Që të mbash këtë situatë, karantina vlente kur rastet ishin më pak dhe kur virusi kishte një shpejtësi të ulët transmetimi. Tani kemi shumë asimptomatik, që zbulohen sepse dalin në test pozitiv.

Është një virozë, e vetmja gjë që duhet të bësh është të ngresh imunitetin. Në javët në vijim do të vijnë në kontakt me Omicron, imuniteti ngrihet përmes vaksinës, nga ushqyerja, gjumi. Mbaj imunitetin sa më mirë me këshillat e gjyshes. Më shumë se sa kaq nuk mund të bësh dot.”, tha ai.

Kur duhet të ngremë alarmin për të shkuar te doktori? “Kur simptomat thellohen dhe kur mendon se ka ndërlikime. Një nga matjet që ndajmë për shtrimin në spital është fillimi i rënies së oksigjenit pasi është një shenjë e rëndë. Për sa kohë ka rrufë, temperaturë që trajtohet me paracetamol, dhimbje koke apo trupi është ok.”, tha epidemiologu.