Nuk do të bëhen më në shtator, ndryshojnë datat e regjistrimeve për vitin e ri shkollor. Datat

Rreth 60 mijë nxënës do të ulen në bangat e shkollës në vitin e ardhshëm shkollor 2020-2021. Regjistrimet e fëmijëve në klasën e parë dhe të nxënësve në vitin e parë të shkollës së mesme, janë kryer zakonisht në muajin shtator. Megjithatë, urdhëri i ri i Ministrisë së Arsimit, thotë se proçesi këtë vit do të nisë më herët, madje që në muajin qershor.

 “Regjistrimet në klasat e para fillojnë në 15 qershor dhe mbyllen në fund të muajit, pra në 30 qershor. Rreth 30 mijë vogëlushë pritet të regjistrohen në klasë të parë. Drejtorët e kanë detyrim të regjistrojnë fëmijët e zonës dhe nëse ka kapacitete, pra vende bosh, regjistrojnë fëmijë nga zona të tjera. Në rast të kundërt ka penalitete deri në largim nga puna të drejtuesit te shkollës, nëse lë fëmijë të zonës jashtë institucionit që i takon.”- thotë Fiqiri Çifligu, specialist i drejtorisë.

Nderkohë, regjistrimi në vitin e parë të shkollës së mesme sipas urdhrit të ministrisë, do të bëhet në dyjavëshin e parë të korrikut. Pra nga 1 deri në 15 korrik. Rreth 30 mijë nxënës që mbaruan klasën e nëntë pritet të regjistrohen nëpër shkollat e mesme të vendit. Dokumentet që duhen paraqitur, janë dëftesa, çertifikata e lindjes dhe vërtetim banimi.

Ky ndryshim nuk është bërë si pjesë e masave të pandemisë së koronavirusit, por duke patur parasysh ngarkesën e madhe që institucionet arsimore kanë në shtator./tch