Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se sot ka humbur jetën në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’, ose siç njihet ndryshe Sanatoriumi, një 73-vjeçar nga Durrësi. I ndjeri që ka humbur betejën me covid-19 është arkitekti i njohur durrsak, Hajdar Kovaçi. Ai ndodhej prej 24 ditësh i intubuar në spital, por nuk mundi të mbijetojë.
Mësohet se Hajdar Kovaçi ka rikonstruktuar shtëpinë e Dritëro Agollit, ndërkohë që xhaxhai i tij ka qenë mik i afërt me shkrimtarin e madh. Kovaçi njihet edhe për qendrimet e tij kundër ndërtimit të HEC-eve në Kanionet e Holtës. Ai gjithashtu është edhe projektues i shumë ndërtimeve moderne në qytetin e Durrësit.
Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë
Një pacient 73-vjeçar, i konfirmuar me COVID19, i intubuar prej 24 ditësh ka ndërruar jetë në spitalin “Shefqet Ndroqi” mbrëmjen e sotme. Pacienti 73-vjeçar me inicialet H.K., nga Durrësi ishte prej thuajse 1 muaji në gjendje të rëndë, me Insuficience respiratore akute.
73-vjeçari vuante nga pneumonia bilaterale, detres i rëndë respirator (ARDS), me sëmundje bashkëshoqëruese Talasemi Minor dhe Hipertension Arterial. Megjithë pëpjekjet e jashtëzakonshme të stafit mjekësor në terapinë intensive, 73-vjeçari nuk arriti të mbijetojë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjeve të të ndjerit dhe apelon qytetarët t’i respektojnë me shumë rigorozitet masat e distancimit fizik, pasi janë përcaktuese për frenimin e përhapjes së COVID-19. 29 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me COVID19, pavarësisht përpjekjeve të stafeve mjekësore të spitaleve COVID.