Wednesday , December 7 2022

Ndahet nga jeta profesori i shquar elbasanas Reshit Koburja

Reshit Koburja lindi ne vitin 1936 ne qytetin e Elbasanit.

Reshiti ka mbaruar studimet në degën gjuhe letërsi ruse.

Ka fituar gradën Doktor i Shkencave në mësimdhënie.

Eshtë Mësues i Merituar.

Profesor Reshit Koburja ndër të tjera ka punuar si Shef i Seksionit të Arsimit Gramsh, Drejtor i Kabinetit Pedagogjik Elbasan, Shef i Seksionit të Arsimit Elbasan, etj..

Profesor Reshit Koburja është, padyshim një nga figurat qendrore të arsimit dhe një ndër korifejtë e arsimit.

Ka një eksperiencë të mirë edhe si drejtor në shkollat private “Arianiti”, “Inkus” dhe “Iliria”.

Që nga viti 1973 deri në vitin 1983 ka qenë gjithashtu pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë Pedagogjik në Elbasan, sot Universiteti “A. Xhuvani”. Ka dhënë lëndën e pedagogjisë dhe të psikologjisë.

Në vitin 1987 fitoi gradën Doktor i Shkencave në fushën e mësimdhënies, të didaktikës.

Ka qenë personalitet, sidomos në fushën ë mësimdhënies dhe të drejtimit të shkolles, i njohur në nivel rrethi dhe kombëtar. U dallua si organizator i veprimtarisë teorike dhe praktike shkollore, ka marrë pjesë në seminare e konferenca pedagogjike lokale e kombëtare, duke qënë aktiv me referime e diskutime.

Është i njohur fakti që Prof. Reshiti ka kryer shumë studime të botuara në gazetën “Mësuesi”, në Revistën Pedagogjike dhe në librat “Normalja në traditë”, “Nga panteoni në panteon”, “Normalja në fokus të bashkëkohësisë”. Në vitin 1995 botoi librin “Normalisti”.

Në veprën “Elbasani–Enciklopedi” ishte anëtar i redaksisë, ku ka shkruar shumë zëra dhe ka redaktuar një pjesë të librit.

Ndarja nga jeta Reshit Kobures la në pikëllim të thelle bashkëshorten e tij, Lilin, vajzat Lurën dhe Besën , nipërit dhe mbesat, të gjithë të afërmit dhe miq e shokë të tij.

Arsimi humbi një ikonë të drejtorave të Shqipërisë.

Advertisement