Mjeku i cili la Gjermaninë për t’u kthyer në Kosovë: Shqiptarët ushqehen më keq se gjermanët, shumë yndyrna dhe sheqer

Besnik Ismajli, mjeku i cili la Gjermaninë për t’u kthyer në Kosovë tregoi në një intervistë për “Good morning Albanians” në Euronews Albania se shqiptarët ushqehen më keq se gjermanët.

Ai ka konstatuar në eksperiencën e tij të punës se në dietën ushqimore të një shqiptari ka shumë yndyrna dhe sheqer.

“Mendoj që mënyra e ushqyerjes te shqiptarët është më e keqe. Në këto dy-tre muaj që po punoj në Kosovë kam parë një dallim tek sëmundjet, tek problemet që kanë shqiptarët, kosovarët në këtë rast dhe pacientët në Gjermani. Ndryshe ushqehemi ne, ndryshe ata. Janë më pak të informuar për ushqyerjen shëndetshëm,” – u shpreh Ismajli.

Sipas tij janë ushqimet tradicionale të Kosovës që luajnë një rol shumë të madh në kequshqyerje duke qenë se kanë shumë yndyrna dhe sheqer.