“Mësim me dritare të hapura ose ajrosje 5-6 herë gjatë orarit mësimor”, Ministria e Arsimit jep njoftimin e rëndësishëm

Në kohën kur i gjithë vendi është përfshirë nga temperaturat e ulëta dhe moti i acartë, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka dhënë një njoftim të rëndësishëm për institucionet arsimore. Kushi ka bërë me dije se në respekt të udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, lidhur me situatën e pandemisë COVID-19 duke marrë parasysh ndryshimin e temperaturave nuk kërkohet në mënyrë absolute mbajtja e dritareve të shkollave hapur gjatë gjithë kohës, por kërkohet ajrosja e klasave disa herë gjatë ditës.

“Dritaret duhet të mbahen të hapura ose të paktën të ajrosen 5-6 herë gjatë kohës së mësimit”, thekson ministrja e Arsimit, duke kërkuar një temperaturë konstante në klasë, për të mbrojtur shëndetin e nxënësve dhe mësuesve.

Ky sqarim i Ministrisë së Arsimit vjen pas shqetësimeve të prindërve dhe temperaturave të ulta në vend.

Postimi i plotë

Njoftim i rëndësishëm!

Shëndeti i nxënësve dhe stafit mësimor është prioritet kryesor i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Prandaj, duke marrë shkas nga temperaturat e ulëta në të gjithë vendin, si dhe shqetësimet e drejta të prindërve, ndjejmë të nevojshme të nënvizojmë se Udhëzuesi për fillimin e vitit shkollor 2020-2021, në respekt të udhëzimeve të MSHMS, duke marrë parasysh edhe ndyshimet e temperaturave sipas stinëve, nuk kërkon në mënyrë absolute mbajtjen hapur gjatë gjithë kohës të dritareve, por lejon edhe ajrosjen e klasave disa herë gjatë ditës. Më saktësisht, në të shprehet qartë se: “DRITARET DUHET TË MBAHEN TË HAPURA OSE TË PAKTËN TË AJROSEN 5-6 HERË GJATË KOHËS SË MËSIMIT”.

Prandaj kërkojmë nga të gjitha Institucionet Arsimore që të kenë në vëmendje zbatimin e këtij udhëzimi, duke u kujdesur maksimalisht edhe për mbajtjen e një temperature konstante në klasë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të nxënësve dhe mësuesve./Opinion.al