Masat e reja lehtësuese: Bashkitë që hyjnë në zonën e gjelbër, data kur hapen lokalet e restorantet

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu nisur nga shifrat e fundit optimiste sa i takon numrit të të infektuarve dhe të shëruarve me COVID-19, ka bërë të ditur planin lehtësues të masave deri më 18 maj. “Nga data 4 Maj do të përfshihen si zona të gjelbra bashkitë: Tropojë, Rrogozinë, Peqin, Belsh, Cërrik, Gramsh, Ura Vajgurore, Kucovë, Berat, Poliçan, Skrapar, Devoll, Pustec, Maliq, Mallakastër, Kolonjë Vlorë, Selenicë”, bëri të ditur znj. Manastirliu.

Duke theksuar se ky vendim është marrë në përputhje me ecurinë e kurbës epidemiologjike dhe indikatorëve të sistemit shëndetësor si dhe duke u bazuar në nivelet e riskut, ministrja tha se “zonat e gjelbërta” do të kenë të njëjtat rregulla të lëvizjes dhe fashave orare tashmë të percaktuara për këto zona.

Sipas këtyre rregullave, pensionistët në këto zona mund të lëvizin nga ora 6:00 deri në 8:30 të mëngjesit, ndërsa qytetarët e tjetër mund të lëvizin nga ora 9:30 deri në 17:30 të shoqëruar jo më shumë se një person. Përjashtim bëjnë qytetarët që kanë autorizim punë të cilët nuk kufizohen nga këto orare.

Rregullat përfshijnë dhe mjetet private të transportit që do të lejohen të qarkullojnë me autorizim vetëm brenda qarkut ose bashkisë përkatëse nga ora 9:30 deri në 17:30 vetëm me një pasagjer. Përtej orarit të caktuar mund të qarkullojnë vetëm mjetet që kanë autorizim në e-Albania.

Shërbimi taksi do të lejohet në të gjithë territorin për dy persona të të njëjtës familje. Nga data 11 maj do të ketë lehtësime të tjera masash për një grup biznese si parukeri, berber, dentist dhe dyqanet në qendrat tregtare”, deklaroi znj. Manastirliu.

Ndërkohë, baret dhe restorantet, do të lejohen të hapen vetëm pas datës 18 maj për ato biznese që kanë hapësira të jashtme. Ndërkohë, gjatë kësaj fundjave ndryshe nga se ka ndodhur gjatë një muaji e gjysmë, do të lejohet lëvizja e kufizuar.

Të shtunën 2 maj dhe të dielën 3 maj, pensionistët do të lejohen të dalin lirisht deri në orën 10.00. Të shtunën 2 maj dhe të dielën 3 maj, prindërit me fëmijët deri në 14 vjeç do të lejohen të dalin lirisht nga ora 11.00 deri në orën 17.30.

Gjithashtu gjatë të shtunës do të qëndrojnë hapur vetëm ushqimoret dhe farmacitë deri në orën 17.30, kurse të dielën të gjitha do të jenë të mbyllura.

Gjatë 24 orëve të fundit, në vendin tonë janë shënuar vetëm 7 raste të reja të të infektuarve me COVID-19. Sipas shefes së Epidemiologjisë në ISHP, Eugena Tomini pritet që Shqipëria të dalë nga epidemia e coronavisur në javën e dytë të qershorit./eunews