Investimet në lagjen “Haxhias” po transformojnë infrastrukturën në këtë zonë të madhe dhe problematike të Elbasanit. Kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, së bashku me drejtuesin politik të qarkut, Damian Gjiknuri, dhe deputeten Evis Kushi, gjatë një inspektimi të fundit, vlerësuan përparimet e bëra.
Kreu i bashkisë z. Gledian Llatja theksoi se “ndërhyrjet rehabilituese në infrastrukturë po kryhen çdo gjashtë muaj, ku paralelisht po punohet edhe me Ndërmarrjen e Punëve Publike duke përmirësuar rrugët, sistemimin e ujërave të bardha dhe trotuaret”.
Janë asfaltuar 9 rrugë të mëdha dhe shumë rrugica të vogla brenda lagjes, ndërsa një qendër e re shëndetësore është ndërtuar në zonë.
“Nuk jemi fokusuar vetëm në këtë zonë, por edhe në rajonet, si Rajoni Nr. 1 ku bëmë një sërë investimesh në infrastrukturë, në Rajonin 3 gjithashtu që është një zonë informale, ndërsa këtu ndodhemi në Rajonin Nr. 5 ku janë pallate të vjetra, një tjetër tipologji”, tha Llatja.
Deputetja Evis Kushi e cilësoi këtë rrugë shumë përfituese për banorët e kësaj zone, pasi ndodhet edhe qendra e re shëndetësore, duke e cilësuar tashmë një zonë të kompletuar me infrastrukturë.
Drejtuesi politik i qarkut, z. Damian Gjiknuri, e vuri theksin tek programi i urbanizimit të të gjithë qytetit.
“Tashmë erdhi momenti që edhe këto lagje të cilat nuk kanë pasur një infrastrukturë normale për shumë vite, me programin që ka bërë bashkia po ecin me shpejtësi pasi po preken të gjitha lagjet. Është ajo që kemi thënë që Elbasani këtë mandat do të ketë urbanizimin e plotë, investime po bëhen në kanalizime, në ujësjellës, si edhe në infrastrukturë rrugore përfshirë edhe sheshet e pallateve. Të gjithë qytetarët të cilët nuk na shohin të mësojnë se në Elbasan po vazhdohet dhe po punohet në mënyrë sistematike, në çdo kohë, ndaj suksese edhe bashkisë që e ka nisur këtë punë”.
Sakaq janë 15 kantierë të hapura vetëm në infrastrukturën rrugore në Elbasan, për t’u përfunduar brenda muajit gusht.
Vetë banorët shprehen të kënaqur pasi sipas tyre në këtë zonë nuk ishte kryer asnjë investim që nga koha e komunizmit.