Habit Bino zbulon rastin e pazakontë: “Kemi një rast që del pozitiv në 4 teste”

Drejtorja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino ka rrëfyer sot një rast të pazakontë. Në një intervistë për Euronews Albania, Bino zbuloi se është një rast që në katër testime del pozitiv. “Nuk mund të them qe kemi pasur coronavirus në muajin janar pa e vërtetuar atë. I jemi rikthyer dhe do t’u rikthehemi testimeve”, nënvizoi ajo. Sa u takon rasteve të veçanta, Silva Bino solli në vëmendje një person që është testuar katër herë deri tani dhe në të gjithë rastet ka rezultuar pozitiv.

“Është një rast deri tani që në katër ri testime del pozitiv. Diskutohet dhe sot në botë se si do të veprohet me këta persona, a janë infektues ata? Pasi ka mundësi që ngarkesa e tyre virale të jetë pozitive por ngarkesa të jetë tepër e ulët dhe nuk janë infektues. Ky rast për ne nuk quhet i shëruar, por mendojmë që do të negativizohet”, deklaroi znj. Bino.

Lidhur me pretendimin se, COVID-19 mund të ketë qarkulluar që prej muajit janar në vendin tonë, znj. Bino u shpreh skeptike, por nuk e përjashtoi mundësinë që kjo të jetë e vërtetë.

“Duhet ta vlerësojnë ekspertët nëse janë imazhe të coronavirusit apo të sëmundjeve virale. Gjatë dhjetorit dhe janarit kemi pasur qarkullim masiv të gripit. Ka qenë viti më i vështirë i gripit”, deklaroi drejtorja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP.