Familje nën çadra në Belsh, banesat u dëmtuan që në vitin 2015

Në Bashkinë e Belshit, të Qarkut të Elbasanit, janë disa familje të cilat u goditën nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit.

Në fshatin Dushk, në Kosovë e Rrasë, familjet janë në çadra për shkak se banesat e tyre të verifikuara nga bashkia janë të pabanueshme. Kamera e A2 ka vizituar familjen Muça me 5 anëtarë, e cila jeton në Dushk.

Situata paraqitet e rënduar pasi Natasha tregon se tërmeti i vitit 2015 u dëmtoi shumë banesën. Edhe pse u premtua dëmshpërblim nga qeveria në atë kohë, asgjë nuk u bë dhe tani banesa e tyre është e pabanueshme.

Sikur të mos mjaftonte kjo, në këtë familje kryefamiljari është i sëmurë dhe trajtohet me kemp.

Dimri që ka trokitur po e bën akoma edhe më të vështirë jetën e kësaj familje, e cila edhe pa dëmet e tërmetit ishte mjaft e vështirë për t’u përballuar.