Tuesday , April 22 2025

Elbasani, Gvozdenoviçi i “falet” fatit për fundin e sezonit

Elbasani do të përpiqet të përfitojë sa të mundet nga pushimi i shkurtër për shkak të ndeshjeve të Kombëtares, duke ditur se ka vuajtur jo pak nga dëmtimet e futbollistëve. Për asnjë moment trajneri Ivan Gvozdenoviç nuk e ka pasur të plotë skuadrën dhe nuk do ta ketë deri në fund të sezonit, për shkak të dëmtimeve të rënda të disa lojtarëve.

Arsen Lleshi bëri operacion ligamentin, ndërsa edhe dëmtimi i Edon Hasanit po rezulton shumë i rëndë dhe gjasat janë që edhe ai ta ketë humbur sezonin. Megjithatë, këto ditët e pushimit mund të sjellin rikuperimin e të tjerëve. Më konkretisht, bëhet fjalë për mesfushorin Abas Ibrahim, që mungon prej disa javësh, si edhe te tjerëve që janë bashkuar me grupin, por ende nuk janë në formën maksimale. Esin Hakaj ka disa sfida që po qëndron në pankinë dhe vijon fazën e rikuperimit si shkak i një dëmtimi që e la jashtë shumë takime.

E njëjta situatë edhe me anësorin e sulmit, Karim Lukili, që i është bashkuar ekipit dhe po rikthehet pak e nga pak në formën më të mirë. Ndaj Dinamos ndërkohë mungoi edhe sulmuesi Ze Gomesh, për shkak të një viroze me temperaturë, por shpresohet të jetë gati për Laçin. Me pak fjalë, mes një morie dëmtimesh dhe lojtarësh në fazë rikuperimi, Gvozdenoviç shpreson që dhjetë ditët në dispozicion t’i shfrytëzojë sa të mundet për pasur organikën në fazën më optimale.

“MESI I ARTË” – Duke parë ndalesat e shumta dhe faktin që kampionati sa vjen edhe bëhet më i vështirë këto javët e mbetura, në Elbasan duan që të sigurojnë sa më parë atë që quhet “mesi i artë”. Me pak shanse për t’u futur në katërshe dhe nga ana tjetër me një distancë të vogël sigurie për mbijetesën. Praktikisht, gjatë gjithë sezonit elbasanasit kanë qenë në këto pozita ku janë aktualisht, duke treguar në njëfarë mënyre se kaq kanë qenë mundësitë e verdhebluve këtë edicion si debutues në elitë, pavarësisht dëshirës së madhe nga ana e drejtuesve dhe lojtarëve për të bërë më mirë.

Megjithatë, mbetet për t’u parë se deri ku mund të shkojnë në mbyllje të sezonit, pasi të gjithë skenarët janë të mundshëm, për aq kohë sa matematika i mban në lojë ñë të gjitha. Gjithsesi, synimi i radhës i verdhebluve është dalja me një rezultat pozitiv nga transferta e Laçit, me kurbinasit që u “kërcënojnë” vendin e pestë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL