Elbasan/ Mjeku kirurg Mina Kallajxhiu: Nuk kam frikë, kam fituar imunitet. Gjithmone prane pacienteve

Betimi i babait të mjekësisë Hipokratit, që është një tekst i shkurtër që përbën një kod sjelljeje, të cilit në të ardhmen do të duhej t’i përmbaheshin të gjithë mjekët, respektohet edhe sot.

Ndër të tjera në të theksohet “përgjegjësia etike e mjekëve ndaj pacientëve”, çka nënkupton lidhjen e besimit që i sëmuri ka kur shkon tek mjeku.

Sot më shumë se kurrë e gjithë bota e ka kthyer vëmendjen tek mjeku dhe me të drejtë. Ndërsa Ministria e Shëndetësisë i bën thirrje mjekëve dhe infermierëve të jenë në gatishmëri në këto ditë të vështira, shumë i janë përgjigjur thirrjes me qëllim që të shpëtojmë sa më shumë jetë dhe ti vijmë në ndihmë njëri-tjetrit qoftë edhe psikoligjikisht duke i ndihmuar njerëzit në këto ditë paniku.

Një nga këta mjekë është edhe specialisti kirurg i ORL në Elbasan, Mina Kallajxhiu.

Në ditë normale puna e tij me pacientët është voluminoze. Me një përvojë të gjatë prej 35 vjetësh në këtë profesion, ai është një nga mjekët e parë që nuk iu tremb COVID -19, por kërkoi nga stafi i infermierëve dhe mjekëve që të jenë në gatishmëri 24 orë dhe t’i përgjigjen në kohë rekord pacientëve.

“Nuk më tremb korona, kam punuar prej 5 vitesh në Dëshiranin e largët, kam kuruar TBC dhe antraksin, besoj se kam fituar imunitet në vitet kur higjena nuk ishte si ajo e ditëve të sotme. Do të jem pranë pacientëve të mi si këtu në Klinikën e Specialiteteve ashtu edhe në spital”.

Kështu pohon mjeku kirurg Mina Kallajxhiu, teksa e sheh në krye të detyrës dhe pas derës së kabinetit të tij janë pacientët që presin për t’u vizituar.

“Nuk ka frikë, por siguri në vetvete, respekt për jetët tona dhe higjienë maksimale”, – shton ai.

Mjeku kirurg i bën thirrje të gjithë mjekëve, komunitetit të tij që i ka shërbyer prej 35 vitesh që në këto ditë të vështira të ndihmojmë njëri-tjetrin sa më shumë.

“Jam i gatshëm të shërbej në çdo orë të ditës dhe natës, të qetësoj pacientët e mi dhe t’i kuroj ato me seriozitetin e një mjeku dhe jo vetëm. Do të vijoj punën time deri në fund të kësaj historie misterioze pa frikë, por me profesionalizëm”, – shprehet Kallajxhiu.

Duke respektuar etikën e një mjeku profesionalist, ai kërkon nga qytetarët optimizëm dhe paqe tek zemrat e tyre.

“Frika është për të dobëtit, trimëria e shëndetit është fitore për të gjithë ne”, shton mjeku kirurg Mina Kallajxhiu. /atsh