E vetëkarantinuar pasi djali ishte me koronavirus, 85-vjeçarja niset me urgjencë drejt Infektivit

Identifikohet një tjetër rast i infektuar me koronavirus në Shqipëri. Personi i infektuar është një 85-vjeçare nga Patosi i Fierit. Burime për Report Tv bëjnë me dije se gruaja e moshuar 85-vjeçe është nisur me urgjencë drejt spitalit infektiv në Tiranë, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, pas përkeqësimit të gjëndjes së saj shëndetësore.

E moshuara ishte në vetëkarantinim prej disa ditësh dhe ka rezultuar pozitive pas analizës së bërë pasditen e djeshme, rezultatet e së cilës kanë ardhur në mbrëmje.

Mësohet se e moshuara është nëna e një pacienti 61-vjeçar, i cili po ashtu ndodhet prej ditesh i karantinuar në spitalin e Infektivit në Tiranë. Sipas burimeve, e moshuara mund të jetë infektuar nga djali i saj.

Gruaja e moshuar vuan edhe probleme të tjera shëndetësore dhe se gjatë ditëve të vetëkarantinimit ka qenë nën asistencën e mjekëve të Spitalit Fier dhe qendrës shëndetësore Patos.