E trishtë/ Ndërron jetë 26-vjeçari që ra nga lartësia në një banesë si pasojë e erës së fortë

Stuhia e fortë e erës në qytetin e Kuçovës ka regjistruar 2 ngjarje të rënda aksidentale. Një djalë 26-vjeç,i cili ishte duke punuar për montimin e një paneli diellor në shtëpinë e një të afërmi të tij ka rënë nga lartësia në një banesë si pasojë e erës së fortë.

Gazetarja e Klan News, Anila Sefa raporton se rrëzimi nga një lartësi rreth 3 metër i ka shkaktuar të riut nga fshati Tapi në rrethin e Kuçovës fraktura dhe shembje në të gjithë trupin. Majkëll Vrapi është gjetur pa ndjenja në tokë dhe është transportuar drejt Spitalit Rajonal Berat. Pasi mori ndihmën mjekësore dhe iu nënshtrua operacionit, 26-vjeçari ka ndërruar jetë sot në spital.

Një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi edhe në afërsi të Spitalit të Kuçovës. Si pasojë e stuhisë së fortë, një depozitë uji është shkëputur nga çatia dhe ka rënë sipër një vajze 17-vjeçare, që ishte duke kaluar në rrugë. Vajza me inicialet S.K është ngritur nga kalimtarët e rastit dhe është dërguar në spital. 17-vjeçarja ndodhet në Spitalin Rajonal të Beratit, ku po ekzaminohet nga mjekët. Ajo është jashtë rrezikut për jetën edhe pse me fraktura dhe plagë të shumta.

Klan News