E gjithë bota e mbyllur/ Nga dhe sa turistë të huaj të vaksinuar mund të vijnë në Shqipëri

Edhe sikur vaksinimi në Shqipëri të mos eci me atë shpejtësi sa të japë sigurinë në celje të sezonit të verës, për turizmin ka një dritë më shumë në fund të tunelit sesa sezonin e kaluar. Shpresa mund të vij nga përtej kufirit. Nga vendet ku Shqipëria importon shumicën e pushuesve. Vitin e kaluar kur masat e marra për parandalimin e përhapjes së Covid-19 ndaluan lëvizjet ndërshtetase dhe nga ana tjetër pasiguria e vetë individëve për të vizituar një vend tjetër i dhanë turizimit shqiptarë një goditje që vlerësohet sa një rënie prej 10 për qind në prodhimin e përgjithshëm kombëtar.

Nga rreth 6 milion pushues në 2019, një vit më pas në pandemi ky numër u pjesëtua me tre duke zbritur rreth 2.6 milion. Kjo shifër tani ka gjasa të rikuperohet sepse vendet do të kenë më shumë pushues të vaksinuar që potencialisht do të kenë më pa frikë dhe rrezik.

Sa mund të jetë ky potencial. Gazeta “Si” kombinoi të dhënat mes listës së vendeve nga vijnë shumica e pushuesve me ecurinë e vaksinës duke marrë në konsideratë dhe përpjekjet e këtyre vendeve për të cliruar lëvizjen e qytetarëve dhe përftimet nga turizmi.  Përveç Kosovës që historikisht ka sjellë numrin më të madh të pushuesve në vendin tonë, në top listë janë Maqedonia, Mali i Zi, Italia, Greqia, Polonia, Anglia dhe Gjermania. Gjatë sezonit veror të vitit 2019 kur pakkush i imagjinonte përmasat e infkesionit në dimër, në vendin tonë erdhën mbi 3 milionë vizitorë të huaj.

Viti 2019 ishte në nivele shumë të larta krahasuar me vitin 2020 sigurisht, por edhe me vitin 2018. Por një krahasim i situatës së vitit 2019 me vitin 2021 gjatë sezonit veror do të qartësonte ecurinë dhe nivelin e rimëkëmbjes, për të cilin po luftohet kaq shumë.

Këto vende që janë vit pasi viti vizitorë të përhershëm të vendit tonë po vaksinojnë qytetarët intensivisht ku Azia, Afrika dhe Amerika qëndrojnë në vend të parë për procesin e vaksinimit respektivisht me 102 milionë vaksinime, 66 milionë dhe 72.8 milionë. Anglia me 20.8 milionë, Italia 4.4 milionë, Gjermania 6.11 milionë, Polonia 3.3 milionë, Spanja 3.8 milionë.

Për momentin shpresa e madhe mbetet tek Italia , Greqia ku ndodhen edhe shumë emigrantë shqiptarë. Shpresat tek Mali i Zi dhe Maqedonia janë më të pakta sepse deri tani kanë të vaksinuar përkatësisht vetëm 1000 dhe 2000 qytetarë. Kosova nuk e ka nisur akoma procesin e vaksinimit dhe posedon zero vaksina.