Dy punonjëse me koronavirus, mbyllet sërish pediatria në Elbasan. Ja ku do marrin shërbimin qytetarët

Reparti i Pediatrisë në Elbasan është mbyllur për shkak se dy sanitare kanë rezultuar të infektuara me COVID-19. Drejtuesit e Shëndetësisë në Elbasan kanë marrë vendim që pavioni për Pediatrinë të spostohet në qendrën spitalore te ish-urgjenca e vjetër deri sa të mbarojë dezinfektimi i ambientit dhe të dalin përgjigjet nga tamponët e marra nga stafi i bluzave të bardha dhe sanitareve të tjera.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 orëvë të fundit janë identifikuar 155 raste pozitivë me COVID-19. Flutura Beqo, eksperte pranë ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se ‘gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë kryer 932 testime për vlerësimin e infektimit nga virusi SARS COV2, dhe 155 persona janë konfirmuar pozitivë me COVID-19.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 34 raste në Tiranë, 24 raste në Durrës, 12 raste në Krujë, nga 9 raste në Korçë dhe Lezhë, 8 raste në Elbasan, nga 7 raste në Kurbin dhe Vlorë, 6 raste në Gjirokastër, 4 raste në Kukës, nga 3 raste në Fier, Kavajë, Përmet, nga 2 raste në Shkodër, Devoll, Lushnje, Mirëditë, Tropojë, Mallakastër, Divjakë, Peqin, Kolonjë, Gramsh, nga 1 rast në Mat, Ura Vajgurore, Klos, Vorë, Maliq, Patos.