Dy humbje jete nga COVID 19. Shtohen rastet e të prekurve në Elbasan

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në vendin tonë janë konfirmuar 68 persona të tjerë të infektuar me koronavirus ndër 397 testime që janë kryer në 24 orët e fundit. Por, dy paciente që ishin shtruar në gjendje të rëndë, kanë humbur jetën me COVID-19, ndërkohë që kishin disa sëmundje shoqëruese. Të dyja pacientet ishin nga Tirana, 58 dhe 59 vjeçe.

Dr. Genta Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik deklaroi se “fatkeqësisht, dy qytetare nuk e kanë fituar dot betejën me Covid19 në spitalin infektiv, ku po trajtoheshin në terapi intensive si pasojë e simptomave të rënda të shkaktuara nga Covid19. Pacientet 58 dhe 59 vjeç nga Tirana, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, nuk mundën të mbijetojnë megjithë përpjekjet e mjekëve dhe terapinë e trajtimit. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerave’.

DEKLARATA

Situata në spitalin infektiv paraqitet serioze, ku ka rëndim të gjendjes shëndetësore të pacientëve në terapi intensive dhe është rritur numri i pacientëve të intubuar. Aktualisht janë të shtruar 83 pacientë në spital, 10 pacientë janë në terapi intensive dhe 4 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rënde.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 397 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 68 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 24 raste në Tiranë, 9 në Krujë, 8 në Kukës, nga 5 raste në Vlorë, Berat, nga 3 raste në Elbasan, Lezhë, Kavajë, nga 2 raste në Shkodër, Kurbin, Korçë dhe nga 1 rast në Divjake dhe Lushnje.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë 488, Durrës 222, Shkodër 161, Vlorë 12, Lezhë 65, Fier 42, Korçë 31, Elbasan 28, Kukës 28, Berat 20, Gjirokastër 15, Dibër 12

Në 24 orët e fundit janë shëruar 47 qytetarë, duke e çuar në 1791 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1232 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u bën thirrje të gjithë qytetarëve të ndërgjegjësohen për respektimin e masave të vendosura.

Situata serioze në spitalin infektiv ku ka dhe mosha të reja të shtruara, kërkon reflektim nga ana e qytetarëve për të ruajtur distancimin fizik, për të ruajtur higjienën personale, për të mbajtur maskën në ambiente të mbyllura, apo kudo ku nuk është e mundur të ruhet distanca fizike prej të paktën 1.5 metër.

Bizneset duhet të marrin të gjitha masat për zbatimin e protokolleve të higjienës të miratuara nga autoritetet shëndetësore, për të ruajtur punonjësit dhe qytetarët. Në rast se keni shenja të sëmundjes, izolohuni dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127. Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19.