Duke nisur nga sot, këto janë kufizimet e reja në pikën kufitare në Kakavijë. Njoftimi i Ministrisë

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka dhënë njoftimin zyrtar në lidhje me masat anti-Covid në Pikën e Kalimit në Kakavijë. Bëhet me dije se nga data 1 mars e deri më 15 mars pika kufitare e Kakavijës do të jetë e hapur nga ora 07:00 deri në orën 19:00, në vend të orës 23:00 që ishte deri tani.

Gjithashtu njoftohet se do të kufizohet më tej numri i personave që futet çdo ditë nështetin grek. Nga 750 persona, do të lejohen vetëm 400. Të gjithë udhëtarët do t’i nënshtrohen një karantine të detyrueshme 14 ditore, nga 7 ditë që ishte deri më tani.

Njoftimi i plotë:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton përforcimin e masave anticovid në Pikën e Kalimit në Kakavijë.

Duke filluar nga data 1 mars e deri më 15 mars 2021:

– Pika Kufitare do të jetë e hapur nga ora 07:00 deri në orën 19:00, në vend të orës 23:00 që ishte deri tani.

– Do të kufizohet më tej numri i personave që futet çdo ditë. Nga 750 persona, do të lejohen vetëm 400.

– Ata që do të futen në Greqi do t’i nënshtrohen një testi të shpejtë, nga i cili nuk do të përjashtohen edhe shoferët e kamionëve apo mauneve.

– Të gjithë ata që do të testohen pozitiv, nuk do të lejohen të hyjnë në Greqi, ndërkohë që ata që hyjnë, do t’i nënshtrohen një karantine të detyrueshme 14 ditore, nga 7 ditë që ishte deri më tani.

❗MEPJ rikujton se Pikat e Kalimit në Kosovë, Maqedoni dhe Malin e Zi vijojnë të jenë të hapura dhe shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë drejt këtyre vendeve, pa pasur nevojë për PCR test negativë dhe pa iu nënshtruar masave të izolimit.