Do të kemi apo jo një mbyllje të vendit, flet Rama: Na pret një dimër i vështirë, nuk e vendosim ne…

Ndërkohë që nga dita e mërkurë në vendin tonë ka hyrë në fuqi vendimi për kufizimin e lëvizjes nga ora 22:00 deri në 06:00, të gjithë druhemi për një izolim total të vendit. “Do të ketë sërish një mbyllje apo jo?” –është pyetja që e dëgjojmë të bëhet më shpesh. I ftuar në “Open”, në Top Channel, kryeministri Rama iu përgjigj kësaj pyetjeje, duke theksuar se na pret një dimër i vështirë.

“Na pret një dimër i vështirë. Në gripin spanjoll vala e dytë ka qenë ajo që ka bërë kërdinë më të madhe. Jemi në një situatë as mes më alarmanteve, as më e lehtë, është në kontroll, por të shohim numrat e kapaciteteve. Problemi më i madh i kësaj goditjeje është që e para nuk është një grip i zakonshëm, e dyta numrat mund të rriten me shpejtësi deri në atë masë sa të bllokojnë sistemin e kapacitetit. Nuk besoj në mbyllje të përgjithshme, sepse ka një domosdoshmëri për të mbajtur një ekuilibër dhe mendoj që nëse ne respektojmë rregullat, nëse mbajmë maskat, ruajmë distancën, kemi në dorë shumë secili prej nesh.

Askush nuk mund ta thotë, por ne jemi të përgatitur ndryshe nga çfarë flitet e përgojohet. Të gjitha masat, qoftë për t’u rimbyllur, qoftë për t’u rihapur janë të gjitha të planifikuara nga Komiteti i Ekspertëve. S’mund të planifikosh gjithçka për një gjë të panjohur. Duhet t’u besojmë ekspertëve tanë, faktikisht është një libër për t’u provuar. Në asnjë vend nuk shkon çdo gjë vaj me këtë goditje ofensive që vjen një herë në shekull. Faktikisht ne sot kemi të lira 30% të kapaciteteve të hapura, ndërkohë që kemi një spital të ri dhe jemi sot me 550 shtretër të disponueshëm që mund të shkojnë deri 1600”, -tha Rama.

Ndërsa për sa i përket një skenari të mundshëm për mbylljen e shkollave, kryeminstri tha se vendimet për mbylljen e shkollave nuk i merr qeveria, por Komuniteti i Ekspertëve dhe nëse ata vendosin që shkollat duhet të mbyllen, atëherë do të mbyllen.