Dinamika e atentatit mafioz. As makina e blinduar nuk i shpëtoi 100 plumbave.

1 i vdekur dhe 1 i plagosur është bilanci i një atentati mafioz mbrëmjen e sotme në qendër të Milotit. Viktimë e atentatit me armë zjarri ka mbetur Klisman Preçi, 28-vjeç, ndërsa Ylli Brahimi 46-vjeç ka mbetur i plagosur rëndë dhe ndodhet në spitalin e Traumës.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në qytetin e Milotit në hyrje të një pallati, dhe janë qëlluar nga një makinë në lëvizje, sapo kanë zbritur nga makina e tyre ‘Land Rover’ e cila ishte e blinduar. Ylli Brahimi 46 vjeç është gjallë për momentin, nën kujdesin e mjekëve, ka marrë dëmtime në brinjë dhe në këmbë. Ndërkohë një makinë e djegur e cila dyshohet se u përket atentatorëve është gjetur në Gramëz të Krujës. Brenda makinës tip ‘Audi’ janë gjetur edhe dy armë tip ‘Kallashnikov’.

Klisman Preçi dhe Ylli Brahimi, të dy me precedentë të mëparshëm penal, i kanë shpëtuar edhe më parë tentativave për vrasje. Konkretisht Ylli Brahimi, i ka shpëtuar një atentati në vitin 2021, ndërsa Klisman Preçi ka shpëtuar plumbave në maj të këtij viti.

Vetëm 6 ditë më parë një vrasje mafioze me tre viktima ndodhi në mbikalimin e Fushë-Krujës, ndërsa nuk dihet nëse atentati i mbremjes së sotme ka lidhje me ngjarjen.