“COVID që zgjat”, pse disa njerëz nuk po e marrin veten nga sëmundja? Ja çfarë thotë studimi

Për shumicën e njerëzve, COVID-19 është një sëmundje që zgjat pak dhe është e lehtë, por disa po luftojnë me simptomat e virusit, si lodhje, dhimbje trupi dhe vështirësi në frymëmarrje për muaj me radhë, raporton BBC.Gjendja e njohur si “Covidi që zgjat” dobëson imunitetin e njerëzve. Prandaj dhe historitë e atyre që thonë se ndihen gjatë gjithë kohës të rraskapitur, janë shumë të zakonshme.

Deri më tani, fokusi ka qenë te shpëtimi i jetës, por duket se ka një rritje të njerëzve që po përballen me pasoja afatgjata të infeksionit COVID-19.

Çfarë është “Covid që zgjat”?

Nuk ka asnjë diagnozë mjekësore apo listë simptomash që dallohen nga pacienti, në pacient. Ndodh që dy persona të kenë simptoma të ndryshme por më e zakonshmja është lodhja.

Simptomat  e tjera janë: vështirësia në frymëmarrje, kolla, dhimbje kockash e muskujsh, probleme me dëgjimin dhe shikimin, dhimbje koke, humbje të nuhatjes dhe shijes, si dhe dëmtim të zemrës, mushkërive, veshkave dhe zorrëve. Gjithashtu janë raportuar probleme me shëndetin mendor, depresioni, ankthi, etj.

Nga simptomat e  zgjatura të Covid-19 nuk po vuajnë vetëm njerëzit që kanë qenë në kujdes intensiv, por edhe ata që kaluan një infeksion të lehtë.

Sa njerëz po përjetojnë simptoma të zgjatura të Covid-19?

Sipas një studimi të zhvilluar në Romë, rreth 87% e personave që ata ekzaminuan kishin të paktën njërën nga simptomat dy muaj pasi ishin shëruar nga virusi dhe më shumë se gjysma ndiheshin ende të lodhur.

Prof.Chris Brightling, nga Universiteti i Leicester, beson se njerëzit që kanë kaluar pneumoni mund të kenë më shumë probleme për shkak të dëmtimit të mushkërive. Megjithëse mund të mos jenë të infektuar, virusi mund të vazhdojë të jetë prezent në disa pjesë  të fshehta të organizmit tonë.

“Nëse keni prej kohësh diarre, atëherë virusi ndodhet në zorrë. Nëse keni humbje të nuhatjes, virusi është te nervat”, ka deklaruar mjeku Tim Spector, nga King’s College London. Koronavirusi mund të infektojë një larmi qelizash në trup dhe të aktivizojë sistemin tonë imunitar, që gjithashtu shkakton dëme në të gjithë trupin. Sipas studimeve, sistemi imunitar nuk i kthehet në normalitet pas Covidit dhe kjo shkakton dobësim të organizmit.

Infeksioni gjithashtu mund të ndryshojë mënyrën se si funksionojnë organet e njerëzve. Por Covid-19 gjithashtu mund të ndryshojë metabolizmin e njerëzve.

COVID-19 krijon mpiksje të gjakut  dhe dëmton arteriet që çojnë gjakun në trup. Mjeku David Strain, nga Universiteti i Exeter tha se : “Teoria për të cilën po punoj është një plakje e parakohshme e enëve të vogla të gjakut që çojnë oksigjen dhe lëndë ushqyese në inde.”

Por ai paralajmëroi se, derisa të kuptohet se çfarë po  shkakton simptomat e zgjatura të Covid-19 është e vështirë të dish trajtimet e duhura.

Por a do të shërohen njerëzit plotësisht?

Numri i njerëzve me “Covid që zgjat” duket se po bie me kalimin e kohës. Por duke qenë se është virus i ri, shumë gjëra janë  të paqarta. Por ka shqetësime, se disa njerëz do t’i vuajnë pasojat e tij gjatë gjithë jetës.

Njerëzit që kanë pasur sindromën e lodhjes kronike me shumë mundësi do ta kenë edhe më vonë dhe do të shfaqet çdo dimër kur të jetë dhe sezoni i gripit.

Çfarë të bëj nëse kuptoj se edhe unë vuaj nga “Covid që zgjat”?

Bëni ecje por mos e sforconi veten dhe sigurohuni që të pushoni shumë. Planifikoni aktivitetet e ditës.

Nëse nuk shëroheni më shpejt seç e prisnit, konsultoheni edhe me mjekun.