COVID-19 shfaq simptoma të tjera tek fëmijët, rastet kur duhet të shqetësoheni.

Një nga shqetësimet më të mëdha të momentit për prindërit është fillimi i shkollës dhe kopshteve. Në një situatë të rënduar nga COVID-19 është për t’u shqetësuar fillimi i aktiviteteve shkollore dhe prindërit duan të dinë si të kuptojnë nëse fëmija i tyre është mbartës i virusit të ri ose jo.

Sipas studiuesve britanikë diarreja, të vjellat dhe ngërçet e barkut  te fëmijët mund të jenë një nga shenjat e koronavirusit. Ekipi i Queen’s University në Belfast dolën në përfundimin se këto simptoma duhet të shihen me kujdes në këtë periudhë.

Në studim u përfshinë 1000 fëmijë ku nga analizat e bëra rezultuan se 68 nga 992 fëmijë kishin antitrupa ndaj virusit, duke sugjeruar se ata kanë qenë të infektuar me Covid-19. Gjysma e atyre që rezultuan pozitivisht raportuan se kishin simptoma, nga të cilat ethet ishin më të zakonshmet.

Simptomat gastrointestinale, të tilla si diarreja, të vjella dhe ngërçet e barkut , u raportuan nga 13 fëmijë që rezultuan pozitiv. Në rastin e shfaqjes së simptomave të mësipërme duhet kontakt i menjëhershëm me mjekun e familjes që të vendoset se çfarë procedurash do të ndiqen.