Bilanci i 2021. Vdekshmëria rritet me 31%. A do ta mësojmë ndonjëherë arsyen?

Ndryshe nga ekonomia, viti 2021 nuk ishte i mbarë për shëndetin. Vendi vijoi të kishte nivele të larta të vdekshmërisë shtesë, sidomos në pjesën e parë të vitit. Të dhënat e INSTAT tregojnë se për gjithë 9-mujorin, në vend janë shënuar 21,471 humbje jete, me një rritje prej 18% në raport me të njëjtën periudhë të 2020-s, për shkak të fataliteteve të larta që ndodhën, sidomos në tremujorin e parë të këtij viti.

Në krahasim me mesataren e 9-mujorit 2016-2019, fatalitetet në vend për janar-shtator 2021 janë rritur ndjeshëm me 31.6%. Ndoshta do të kalojnë vite, apo ndoshta nuk do ta mësojmë kurrë (duke pasur parasysh mungesën e informacionit në vend), sesa nga këto jetë do të mund të ishin shpëtuar nëse sistemi shëndetësor do të kishte qenë në gjendje të përballonte mbingarkesën në spital dhe masat shtrënguese do të kishin qenë më të shënjestruara. Deri tani, është e dukshme që peshorja ka anuar nga ekonomia dhe jo nga jeta./Monitor/