BE dhuron 400 kaska mbrojtëse dhe maska për Policinë Bashkiake në Elbasan

400 kaska mbrojtëse dhe një sasi maskash i janë dhuruar Policisë Bashkiake në Elbasan, në kuadër të një projekti të financuar nga Bashkimi Europian me projektet IPA.  Këto materiale mbrojtëse janë prodhuar nga disa organizata joqeveritare në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut për t’u përdorur gjatë pandemisë. Materialet mbrojtëse do të shkojnë për Policinë Bashkiake dhe punonjësit e tjerë të sporteleve dhe të terrenit të cilët janë në vijën e parë të shërbimit me qytetarët.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se “Bashkimi Europian i ka qëndruar pranë Ballkanit Perëndimor në këtë periudhë të vështirë të shkaktuar nga COVID-19″.

“Me mjetet e shtuara mbrojtëse po pajisen sidomos punonjësit që gjatë gjithë kohës janë në kontakt me komunitetin, duke nisur nga mjekët e më pas me punonjësit e Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake etj. Sa më të sigurt të jenë punonjësit që janë në vijën e parë të frontit aq më të sigurt janë qytetarët, ndaj dhe ky projekt merr vlerë të veçantë”, tha ai.

Balla tha se “punonjësit e Policisë Bashkiake së bashku me Policinë e Shtetit duhet të vazhdojnë të kryejnë detyrën për respektimin e rregullave ndërsa mbrojtja e tyre është thelbësore, për të mbrojtur ata vetë, por edhe të mos bëhen përçues të virusit”.

Për sa i përket mbështetjes së Bashkimit Europian, Balla vlerësoi se Samiti i Zagrebit ishte shprehja më e qartë e vëmendjes dhe angazhimit konkret ndaj Ballkanit Perëndimor.

“Një apel kam për qytetarët shqiptarë: Edhe pse kemi kaluar pjesën më të madhe të luftës, çdo lloj pakujdesie apo humbje e gatishmërisë mund të na kushtojë shumë”, tha ai, gjatë dorëzimit të pajisjeve.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja  tha se puna në terren në ndihmë të qytetarëve do të vijojë ndërsa masat mbrojtëse për punonjësit e vijës së parë janë të domosdoshme. “Punonjësit e Policisë Bashkiake në Elbasan kanë qenë në front të parë që në fillim të pandemisë në mënyrë që të mos kishim përhapje në masë të virusit. Këto masa të shtuara mbrojtëse janë të domosdoshme, jo vetëm për punonjësit e Policisë Bashkiake, por dhe punonjësit e sporteleve të cilët do t’i rikthehen shërbimit të plotë”, tha ai./atsh