Elbasani, kryeqendra e sportit shqiptar

Elbasani është kthyer në kryeqendrën e sportit shqiptar. Prej mëse 10 vitesh, me rikonstruksionin e stadiumit “Ruzhdi Bizhuta”, tanimë “Elbasan Arena”, ky impiant mirëpret ndeshje të çdo niveli. Duke nisur nga Kombëtarja A, e me radhë Përfaqësueset e moshave, përballjet e skuadrave shqiptare në arenën europiane, ndeshjet e kampionatit shqiptar, ku përveç ekipit të qytetit, Elbasanit, aty luan edhe Dinamo e kryeqytetit dhe herë pas here edhe skuadra të tjera që për mungesë të një stadiumi luajnë në “Elbasan Arena”. Një dekadë e plotë që e ka rikthyer këtë qytet në kryeqendër të këtij sporti dhe gjasat janë që të vazhdojë të jetë ende i tillë edhe për vite të tëra. Një investim i qeverisë shqiptare, në bashkëpunim me bashkinë e Elbasanit dhe FSHF-në 10 vite më parë, sot më shumë se kurrë po merr vlera, për faktin se aty ka nisur të luajë dhe të jetë konkurues edhe skuadra e qytetit, AF Elbasani. Me një numër rekord tifozësh në çdo ndeshje, ky qytet ka dhënë leksione edhe në këtë aspekt në futbollin shqiptar.

Jo vetëm futbolli, por në stadium mbahen vazhdimisht edhe garat kombëtare dhe ndërkombëtare të atletikës. Pista me tartan sipas parametrave ka bërë që te kthehet në një kryeqendër edhe për mbretëreshën e sporteve.

Nëse këtë dekadë të fundit, qyteti i Elbasanit u kthye në kryeqendër të futbollit, muajt e fundit është kthyer edhe në një kryeqendër të lojërave me dorë. Kjo, në sajë të rikonstruksionit të pallatit të sportit “Tomorr Sinani”, duke e kthyer atë në një impiant të kushteve bashkëkohore. Vizioni i bashkisë së Elbasanit dhe kryebashkiakut Gledian Llatja për ta kthyer qytetit në një qendër të rëndësishme sportive, ka nisur të japë frytet e saj. Në muajin korrik u mbajt një eveniment historik, ai i Kampionatit Europian U-18 për djem, me federatën ndërkombëtare të basketbollit që dha dritën jeshile për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti në sajë të kushteve ideale të pallatit të sportit “Tomorr Sinani”. Së fundmi, u mbajt edhe kupa e Shqipërisë në bashketboll pak ditë më parë, një tjetër aktivitet i rëndësishëm në nivelin kombëtar.

Me pak fjalë, nga një kryeqendër e futbollit për një dekadë, Elbasani tani po kthehet edhe në një kryeqendër të mbarë sportit shqiptar. Kjo, vjen në sajë të investimeve në infrastrukturën sportive dhe seriozitetit me të cilën punohet çdo ditë në këtë qytet, aty ku sporti zë një pjesë të rëndësishme të aktiviteteve në Elbasan.

Vladimir Mema