Panik nga murtaja që ka shpërthyer në vendin fqinj, ngrihet Task Force për monitorimin e situatës

NGA FATMIR POPJA

Në Shqipëri Shërbimi Veterinar ka kaluar në gadishmëri pasi në vendet në kufi me vendin tonë janë zbuluar vatra aktive me brucelozë. Bruceloza është një prej sëmundjeve më të rrezikshme tek kafshët. Ajo është një sëmundje që shkaktohet nga mikroorganizma të gjinisë “Brucella” dhe që transmetohen te njeriu me rrugë direkte ose indirekte. Rastet me brucelozë janë shtuar shumë pas viteve 90, si midis bagëtive, ashtu edhe midis njerëzve edhe në Shqipëri.
Ndërkohë Greqia prej kohësh po përballet me murtajën e bagëtive të imta, autoritetet shqiptare si vend fqinj kanë kaluar në gjendje alerti. Në Greqi situata aktualisht është mjaft problematike dhe mbizotëron një frikë në rritje për shkak të murtajës.
Në kushtet e mbizotërimit të një situate kaq problematike të fqinjëve, Shërbimi Veterinar Rajonal, Korçë-Elbasan-Berat ka ngritur taksk-forcë me 11 grupe në terren duke e përqendruar vëmendjen në akset nacionale. Kreu Rajonal i këtij shërbimi, Spiro Hunçi bën me dije se grupet e ngritura do të verifikojnë çdo rast të dyshimtë, ndërsa thirrja shkon kryesisht për fermerët e zonave kufitare me vendin fqinj të tregojnë kujdes të shtuar.
Shërbimi Veterinar Elbasan dhe kreu i saj, Fatmir Ozuni i kanë njohur blektorët e këtyre Qarqeve me simptomat që tregojnë se bagëtitë janë të prekura nga kjo sëmundje.
Nëse rastet me murtajë ende nuk janë identifikuar në vendin tonë, ato me brucelozë janë aktive. Një vatër e re është shfaqur së fundmi në një stallë me bagëti të imta në zonën e Korçës. Krahas shqetësimit që ka përfshirë autoritetet dhe konsumatorin vendas, bëhet me dije se qytetarët nuk janë të rrezikuar nga murtaja dhe bruceloza pasi në dyqane dhe tregje tregtohet mish i kontrolluar. Aktualisht mbetet prioritet i autoriteteve shqiptare menaxhimi i rasteve të shfaqjes së mundshme të murtajës dhe brucelozës në zonat të ndryshme të Shqipërinë pasi në vendet fqinje rastet e zbuluara janë të shumta dhe përhapja duket e pa shmangshme.