Nga sot hyn në fuqi rritja e pagave për 135 mijë punonjës të administratës publike. Ja kush dhe sa përfiton

Duke nisur nga sot, 1 korrik hyn në fuqi vendimi i qeverisë për rritjen e pagave për 135 mijë punonjës të administratës publike. Pagat do të rriten për të gjitha profesionet, duke bërë që paga mesatare në administratë të kalojë mbi 100 mijë lekë në muaj bruto.

“Përmes zbatimit të kësaj politike paga mesatare në sektorin publik arrin në 105 mijë lekë në muaj. Pagat e rritura nisin zbatimin në 6-mujorin e dytë, pra në korrik me kosto prej 11 miliard lekësh për këtë 6-mujor”, tha Ervin Mete ministër i Financave.

Përfitues janë mbi 20 mijë mjekë dhe infermierë si dhe punonjës të administratës shëndetësore. Por sa është rritja për këtë kategori?

“Me këtë rritje që miratuam sot paga e një mjeku të përgjithshëm rritem me 20 mijë lekë plus, ndërsa e një infermieri me 15 mijë mbi pagën ekzistuese”, tha pak ditë më parë Albana Koçiu, ministre e Shëndetësisë.

Paralelisht edhe arsimtarët do të përfitojnë rritje page.

“Nga 1 korriku rriten pagat për 30 mijë punonjës të sistemit arsimorë. Paga rritet me 18 mijë lekë mbi pagën mesatare. E thënë ndryshe me këtë rritje paga mesatare në arsim arrin në 900 euro”, sqaroi Manastirliu.

Rritje sinjifikative e pagave e konsideroi edhe Niko Peleshi për forcat e armatosura dhe punonjësit zjarrfikës, rritje e cila kap shifrën e 30%. Në përpjekje për të tërhequr punonjës në administratë, Peleshi tha se çdo i ri e nis me pagë dinjitoze në forcat e armatosura.

“Nga kjo rritje mund të them se çdo i ri që hyn në sektorin e forcave të armatosura paga do të nis nga 800 mije lekë”, tha Niko Peleshi. Përfitues do të jenë edhe punonjësit e administratës shtetërore, por vetëm ata të nivelit zbatues dhe mbështetës.

Kategoritë që përfitojnë nga rritja e pagave:

Nga sot hyn në fuqi rritja e pagave për 135 mijë punonjës

Ushtria

-Për ushtarin bazë, me rritjen e sotme paga e tij shkon në 71 mijë Lekë

-Rreshteri, 80 mijë Lekë

-Majori, 107 mijë Lekë

-Koloneli, 158 mijë e 500 Lekë

-Gjenerali, 190 mijë Lekë.

-Të gjitha këtyre pagave u shtohet një trajtim ushqimor, prej 16 mijë Lekësh

Zjarrfikësit

-Asistent Zjarri (grada më e ulët) 60 mijë Lekë

-Zjarrfikës 65 mijë Lekë

-Kryezjarrfikës 70 mijë Lekë

-Kryeinspektor zjarrfikës 85 mijë Lekë

-Inspektor zjarrfikës 75 mijë Lekë

-Komisar zjarrfikës 105 mijë Lekë

-Drejtues zjarrfikës 155 mijë Lekë

-Drejtues i parë zjarrfikës 140 mijë Lekë

-Drejtues i lartë zjarrfikës 160 mijë Lekë

Sistemi arsimor

-Paga e mësuesit në arsimin e mesëm të lartë që ka kualifikimin dhe që ka vjetërsi mbi 15 vite pune eksperiencë do shkojë 98 500 Lekë.

-Paga mesatare e mësuesit në arsimin e mesëm të ulët me mbi 15 vite vjetërsi shkon nga 75 800 në 96 000 Lekë.

-Mësuesit e ciklit fillor ku paga mesatare me mbi 15 vite eksperiencë nga 72 mijë Lekë paga shkon në 95 200 Lekë.

-Punonjësit e shërbimit psiko-social, paga mesatare shkon 910 Euro.

-Për oficerët e sigurisë 800 Euro në muaj si pagë mesatare.

-Të gjithë mjekëve të përgjithshëm u rritet paga me 20 mijë Lekë mbi pagën ekzistuese.

-Të gjithë infermierëve u rritet paga me 15 mijë Lekë mbi pagën ekzistuese.

-Përfitojnë edhe punonjësit e administratës së sistemit shëndetësor, 15 deri në 20 përqind të pagës së tyre aktuale.

Sektori i burgjeve

-Rritja e pagave varion nga 13 deri në 27 përqind.

-Rritja shkon nga 6 mijë Lekë, deri në 33 mijë e 600 Lekë e përshkallëzuar sipas gradave.

-Aspirantët, pjesë e strukturës së Policisë së Burgjeve dhe do paguhen me 80 për qind të pagave të inspektorit.