Është ndarë nga jeta ish-kryebashkiaku i Elbasanit, Qazim Sejdini. Mësohet se ai vuante nga një sëmundje e rëndë.
Ish-kryebashkiaku socialist është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare. Qazim Sejdini ka qëndruar në krye të Bashkisë Elbasan për 3 mandate nën siglën e Partisë Socialiste.
Ai vendosi që të mos kandidonte më për kryebashkiak në zgjedhjet vendore të 2019.
Jeta dhe karriera e Qazim Sejdini
Qazim Sejdini ka lindur në Elbasan në 12 shkurt të 1951. Ai doqi shkollën e mesme Jeronim De Rada dhe vazhdoi edukimin e tij të lartë në Universitetin Luigj Gurakuqi të Shkodrës, nga 1968-1970, në degën e Edukimit Fizik.
Nga 1973-1978 vazhdoi studimet e larta në Universitetin Aleksandër Xhuvani të Elbasanit, në degën Histori-Gjeografi. Në vitet 1983-1987, ai ndoqi studimet në Institutin e edukimit fizik Vojo Kushi në Tiranë.
Qazim Sejdini kreu shërbimin ushtarak, më pas në 1973 ai punoi si mësues historie, gjeografie dhe edukimi fizik në shkollën 9-vjeçare të Labinot Mal-it.
Më pas në vitin 1974, ai u bë instruktori i Komitetit të Rinisë në Elbasan. Në vitet 1983-1992 ai punoi në Sport Klub Elbasani, fillimisht si Inspektor i lojrave me dorë e më pas ai zuri vendin e Shefit të Klubit të Sportit te Elbasanit.
Në vitin 1995 Sejdini u zgjodh President i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Elbasanit. Ndërsa një vit më vonë, President i Shoqatës së Doganierëve të Shqipërisë dhe nga maji i 2002 deri në maj 2004 ai ishte President i Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.
Në tetor 2002 deri në maj 2005 ai u zgjodh Prefekt i Prefekturës së Elbasanit. Në vitin 2007 ai kandidoi për kryebashkiak i Elbasanit dhe fitoi zgjedhjet, ndërsa qëndroi në krye të Bashkisë për 12 vite.