Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur punimet edhe në Lotin 3 dhe 4 për ndërtimin e autostradës Elbasan-Qafë Thanë. Kontraktorët janë mobilizuar në kantier është bërë piketimi i veprave të artit, i trupit të rrugës si dhe i rrugëve të aksesit.
ARRSH njofton se, në segmentin e parë të Lotit 3 po bëhet devijimi i lumit dhe po punohet me gërmimin për ndërtimin e rrugës. Ndërsa pranë urës së Murrashit po bëhet gërmimi i shkallëve.
“Në Lotin 4 po punohet me gërmim dheu dhe gërmim shkëmbi për hapjen e trasesë”.
Rruga Elbasan-Qafë Thanë e gjatë 50.1 kilometër, ka nisur tashmë prej disa kohësh dhe në terren po punohet për lotin 1 dhe 2. Kjo rrugë i shërben banorëve jo vetëm të zonës midis Elbasanit dhe Korçës, por edhe të gjithë turistëve vendas dhe te huaj, të cilët frekuentojnë zonën e Pogradecit dhe Korçës si dhe shtetasve të huaj dhe vendas të cilët lëvizin në drejtim të Greqisë dhe Maqedonisë.
Rruga ekzistuese Elbasan – Qafë Thanë ka gjerësi totale 9 – 9.5m (8 m gjerësi asfalti dhe bankina me gjerësi 0.5-0.75). Rruga ekzistuese ka nevojë për ndërhyrje në elementët gjeometrik, shtresat rrugore, në sistemin e trotuareve, ndriçimit rrugor të zonave urbane, sistemin e kanalizimeve të ujërave të shiut, sinjalistikë vertikale dhe horizontale.
Për shkak se kjo rrugë është gjithashtu pjesë e korridorit 8 dhe duke qenë se pala Maqedonase ka avancuar shumë duke kryer Projekt-Zbatimin e rrugës Qafë-Thanë-Struge-Gostivar me parametrat e një rruge të Kategorisë A, ARRSH nëpërmjet Vendimit të Këshillit Teknik pas miratimit të fazës së Projekt-Idesë, ka vendosur kryerjen e projekt-zbatimit sipas parametrave teknik të Kategorisë B (Interurbane Kryesore ).
Projekti për zgjerimin e Elbasan-Qafë Thanë lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut dhe në mes të këtij viti u bë e ditur se pika e daljes në Maqedoni kishte ndryshuar nga projekti fillestar. Kjo pikë e re është e vendosur afër Urës së Bushtricës. Projektit i shtohet një tunel 3 kilometra i gjatë.
Aktualisht është duke u punuar në 4 lotet e parë të kësaj rruge, duke nisur nga Elbasani, ndërkohë që duke marrë në konsideratë trafikun e rënduar që krijohet në hyrje të qytetit të Elbasanit, është theksuar se ndërtimi i bypassit të këtij qyteti është një nga projektet më prioritare dhe aktualisht po aplikohet për gjetjen e financimit.
Korridori 8 nis nga portet italiane të Barit dhe Brindizit, në portet e Durrësit e Vlorës dhe më pas vazhdon drejt Elbasanit, Shkupit dhe Sofjes, duke mbërritur deri në portet e Burgasit dhe Varnës në Detin e Zi.