Organizatat për lirinë e medias reaguan të shqetësuara të enjten, pasi policia njoftoi arrestimin e një gazetari me akuzën e publikimit të lajmeve të rreme që sipas njoftimit të policisë i servireshin nga dy oficerë të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
‘Safe Journalist’ në një deklaratë bëri me dije se po ndiqte në mënyrë aktive rastin, ndërsa u kërkoi autoriteteve të bënin transparencë.
“I bëjmë thirrje autoriteteve që të sigurojnë transparencë dhe respektim të procesit të rregullt ligjor në trajtimin e kësaj çështje. Ndërsa e njohim nevojën për llogaridhënie, nxisim që të mos përdoren masa si arrestimet e gazetarëve dhe punonjësve të medias, të cilat duhet të jenë proporcionale dhe të justifikuara”, shkruhet në deklaratën e Safe Journalist.
Gazetari Ervis Hasanaga u arrestua bashkë me oficeren e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Rexhina Omeri, ndërsa Kushtrim Selimi – shef sektori pranë AMP-së, u shpall në kërkim.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj i tha BIRN në një komunikim telefonik se të arrestuarit akuzoheshin për falsifikim kompjuterik.
“Arrestimet në flagrancë për këta shtetas janë kryer për veprën penale të falsifikimit kompjuterik e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186 A i Kodit Penal”, tha Vocaj.
Kjo vepër penale parashikon ndërhyrje në sisteme kompjuterike dhe ndryshimin e të dhënave apo falsifikimin e tyre.
Megjithatë, Policia e Shtetit nuk tha se në cilin sistem ishte ndërhyrë. Po ashtu në komunikatën për shtyp u la të kuptohej se bëhej fjalë për publikimin e lajmeve me akuza ndaj zyrtarëve të lartë të policisë