Fleksibilitet në orare dhe heqja e kufizimit për leje vjetore jo më pak se një javë.
Këto ishin dy prej pikave të planit të Motivimit të Administratës Publike, pjesë e sfidës së Shqipërisë 2030 për anëtarësimin në BE dhe rritjes cilësore të aftësive të shtetit shqiptar në shërbim të interesave të vendit e të qytetarëve paraqitur në një takim të zgjeruar nga ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni.
Gjatë fjalës së saj në takimin me administratën me praninë e Kryeministrit Edi Rama, Pirdeni theksoi se në korrik përmbyllet dhe rritja më e madhe e rrogave për administratën publike, plan i nisur një vit më parë.
Ndërkohë shtoi ajo, do ketë dhe disa risi të tjera për sa i takon orarit të punës apo lejes së zakonshme.
“E para ndër kërkesat tuaja ka qenë garantimi i fleksibilitetit në orarin e punës.
Brenda vitit do të mundësojmë që punonjësit të nisin orarin e punës sipas agjendës familjare.
Mund ta nisin ditën më herët dhe ta përfundojnë më herët, ta nisin më vonë dhe ta mbyllin më vonë”, shtoi Pirdeni.
Ajo tha se prej qershorit nis edhe akademia e lidershipit.
Pirdeni tha po ashtu se në bashkëpunim me BE po punohet për planin e vlerësimit të punonjësve të administratës.