“Piranjat’ tregoi historinë e një 46-vjeçari nga Malësia e Madhe, i cili prej 30 vitesh mbahet i lidhur me zinxhir. Nëna e tij, Zyla, rrëfeu se djali filloi të kishte probleme me shëndetin mendor në moshën 10-vjeçare pasi përjetoi një situatë të frikshme që la trauma të thella tek ai. Prej atij momenti, Xhevahiri u bë agresiv e nuk mundi të vazhdonte më jetesën si më parë, pasi prindërit vendosën ta lidhnin me zinxhir.
‘E lidh me zinxhir për Zotin se nuk mundem të vrapojë pas tij. Humbet edhe ka mbetur 4-5 net i humbur nëpër pyll. Gjynah po bëjmë që po e lidhim, po për Zotin nuk mundem të vrapojë, shikomë si rri, si më bën pulsi i zemrës’, u shpreh nëna 67-vjeçare, e cila kujdeset e vetme për të birin.
Nëna tha se djalin ia kanë marrë disa herë nga shtëpia për ta çuar në spitalin psikiatrik, por asnjëherë nuk ia kanë mbajtur me pretendimin se ai është i dhunshëm.
Mirëpo sapo ‘Piranjat’ shkuan në shtëpinë e nënës, institucionet u vunë në lëvizje dhe menjëherë e sistemuan të sëmurin në një qendër rezidenciale. Edhe pse çdo institucion përgjegjës ishte në dijeni për situatën, nuk kishin marrë asnjë masë më herët për t’u kujdesur për 46-vjeçarin.
Këtë lëvizje të shpejtë të institucioneve pas interesimit nga ana e ‘Piranjave’, drejtoresha e shërbimit social në Shkodër, Danjela Jakoja, e justifikoi me faktin se e gjitha u bë për t’i dhënë ndihmë sa më parë të sëmurit.
Nga ana tjetër, Zyla zbuloi se së fundmi atë e kanë thirrur edhe në Prokurori për të deklaruar mbi gjendjen e të birit. Si për të mbuluar atë që nuk kanë bërë vetë gjatë gjithë këtyre viteve, institucionet janë kujtuar të hetojnë një nënë, e cila është kujdesur e vetme për djalin, pa pasur kurrë mbështetjen e shtetit.