12 persona humbën jetën në të gjithë vendin si pasojë e aksidenteve dhe mbytjeve në ujë. Ngjarjet më të rënda u regjistruan në Liqenin e Banjës ku u mbytën 4 persona të një familjeje dhe një aksident me pasojë vdekjen e dy të rinjve në periferi të Tiranës, si pasojë e rënies së fuoristradës në humnerë.
2 të rinj humbën jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor të ndodhur në fshatin Fortuzaj mbrëmjen e të premtes. Denis Çali, 33 vjeç, luftoi disa orë për jetën në Spitalin e Traumës por nuk ia doli. Ai po udhëtonte me një automjet tip “Range Rover” me shokun e tij Brusild Gjyla, 26 vjeç, i cili humbi jetën në vendin e ngjarjes pasi makina e tyre ra në humnerë në fshatin Fortuzaj, vetëm disa kilometra larg kryeqytetit.
33-vjeçari ishte viktima e 12 në harkun kohor të 24 orëve në vend. E premtja shënoi një bilanc të rëndë me humbje jetësh nga veriu në jug. Ngjarja më e rëndë u regjistrua në Liqenin e Banjës në Gramsh, ku u mbytën 4 persona, babai me 2 djemtë, njëri prej tyre i mitur dhe kushëriri i tyre. Arben Zogu, 46 vjeç, Rubensi, 19 vjeç dhe Esti, 14 vjeç, si dhe nipi i tij Melis Zogu, 20 vjeç, lanë sendet e tyre personale buzë liqenit dhe u futën të laheshin në liqen, por nuk dolën të gjallë nga aty.
Dy persona të tjerë vdiqën të premten në ujë, njëri në plazhin e Durrësit e tjetri në Tale të Lezhës. Një 68-vjeçar në Porto Romano shfaqi probleme shëndetësore sapo ra në kontakt me ujin dhe si pasojë humbi jetën, dhe dyshimet e para janë për vdekje nga arresti kardiak. Në të njëjtat kushte humbi jetën edhe një 52-vjeçar në plazhin e Tales.
Ndërkohë, një 45-vjeçar humbi jetën aksidentalisht në Elbasan pasi ra nga lartësia. Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Luigj Gurakuqi”, teksa ishte duke lyer muret e një ndërtese. Dife Gërdani, 70-vjeçe, ra në kontakt me korrentin teksa po tentonte të piqte bukën në furrë. Bashkëshorti tentoi t’i vijë në ndihmë duke shkëputur menjëherë energjinë elektrike nga pajisja, por e moshuara nuk ia doli.
Një 58-vjeçar që po drejtonte karrocën në Peqin humbi jetën pasi u përplas me një makinë që drejtohej nga një i ri 20 vjeç, ndërsa në Fier në orët e paradites së të shtunës një makinë doli nga rruga, fatmirësisht pa viktima.
Nje koment
Pingback: How many years is pharmacy in Egypt