Rreth orës 19:00, një telefonatë urgjente ka arritur në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Gramsh dhe ka njoftuar se 4 shtetas dyshohet se janë mbytur në Liqenin e Hidrocentralit të Banjës. Në reagim të menjëhershëm, shërbimet e policisë, grupi hetimor dhe zjarrëfikësit kanë shkuar në vendngjarje për t’u angazhuar në kërkimin dhe shpëtimin e personave të mbytur.
Sipas deklaratave të familjarëve, shtetasit A.Z (46 vjeç), R.Z (19 vjeç), E.Z (14 vjeç) (babai dhe 2 fëmijët) dhe kushëriri i tyre, shtetasi M.Z (20 vjeç), janë futur në liqen për tu larë dhe nuk kanë dalë më. Grupi hetimor ka gjetur në buzë të liqenit dy motoçikleta, tre celularë dhe teshat e trupit të personave.
Një ekip special i polumbarëve të Reneas është nisur menjëherë drejt liqenit për të bërë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e katër shtetasve të humbur.
Grupi hetimor vazhdon punën për të sqaruar dhe dokumentuar plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie.