Debatuan për çështjen e zgjedhjeve, si nisi konflikti ku mbeti i plagosur ish-kreu i PD në Peqin

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e shënuar në Peqin, ku mbeti i plagosur me armë zjarri Dielli Çela, ish-kreu i PD në Peqin.

Pas një konflikti autori Sokol Dehima ka qëlluar me armë Dielli Çelën. Burime për media bëjnë me dije se personat në fjalë ishin konfliktuar një ditë më parë me fjalë për çështjen zgjedhore, ndërsa sot debati ka degraduar në përdorimin e armëve.

Dehima thuhet se është mbështetës i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ndërsa Çela në 2016 ka qenë kreu i PD në Peqin, ndërsa tashmë mbështetës i PS.

“Rreth orës 11:10, në spitalin e Peqinit, është paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, shtetasi Diell Çela, 55 vjeç, banues në Peqin, i cili dyshohet se është dëmtuar me armë zjarri, gjatë një konflikti me shtetasin S. D., rreth 52 vjeç, banues në Peqin.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe janë duke kontrolluar territorin, me qëllim kapjen e autorit të dyshuar, shtetasit S. D. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia për ngjarjen.